Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, e sheh të nevojshme ngritjen e padisë kundër Serbisë për krime lufte në Kosovë, duke thënë se kjo është e domosdoshme, në të kundërtën ndryshe politika agresive serbe ndaj Kosovës nuk do të ndalet.

Ai në një shkrim në Facebook thotë se Serbia duhet të dënohet për gjenocid dhe të detyrohet t’i paguajë të gjitha reparacionet e luftës.

Postimi i plotë:

Kur po flasim për raportet shqiptare e serbe, e sidomos për politikat serbe ndaj Kosovës që nga Garashanini e krejt deri në ditët e sotme, jo pak herë po bëjmë gabime kardinale. Bëjmë gabime kur gjenocidin serb që filloj të ushtrohet në luftën e fundit në Likoshan e Qirez e pastaj në Prekaz në Lagjen e Jasharëve dhe gjithë politikën serbe të Luftës Çlirimtare po i quajmë: masakër/a apo krim/e. Ato sulme ishin pjesë e një Plani të organizuar mirë. Plan për zhdukje të pjesërishme ose të tërësishme të shqiptarëve, i cili plan nuk mund të quhet ndryshe, veçse gjenocid. Ky është standardi shpjegues i fjalës gjenocid.

Pra, nuk duhet që politikat serbe të gjenocidit t’i reduktojmë në shpërngulje, dëbime, masakra e krime. Në fakt asnjëri nga termet e përmendura, sa do të renda që duken në të dëgjuar, nuk e plotësojnë atë që ishte qëllim i politikës serbe. Politika serbe, jo vetëm ajo e kohës se Millosheviqit kishte për qëllim, zhdukjen e pjesërishme ose të tërësishme të popullit shqiptar në trojet e pushtuara nga Serbia e Jugosllavia. Dhe kjo politikë e theksoj forcërisht mund të mbulohet vetëm me një term, me termin e gjenocidit. Në shërbim të kësaj politike ishte edhe sintagma e njohur serbe: “Kosova djep dhe zemër serbe”!

Prandaj, pasi Republika e Kosovës ende nuk është në gjendje të bëjë padinë ndaj Serbisë për gjenocidin e saj dhe dëmet e luftës që Serbia i ka bërë në Kosovë, duhet ta gjejmë rrugën për ta paditur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo është e domosdoshme, për ndryshe politika agresive serbe ndaj Kosovës nuk do të ndalet. Serbia duhet të dënohet për gjenocid dhe pastaj të detyrohet që t’i paguaj të gjitha reparacionet e luftës.

Sikur institucionet e Kosovës (Qeveria e Presidenti), pas pavarësisë, të mendonin më shumë për të gjetur mënyrën për padinë për gjenocidin e ushtruar nga Serbia ose të angazhoheshin për ketë çështje sa janë angazhuar për Kompani Lobuese për çështje krejt personale me parat e buxhetit të Kosovës, pozicioni i saj do të ishte shumë, shumë më i mirë sesa është. Kushdo që kërkon votat e qytetarëve të Kosovës, duhet të përgatitet për t’ju shërbyer atyre me përgjegjësi e përkushtim.

Prandaj, është koha e fundit, që krerët e institucioneve të përqendrohen për çështjet që kanë të bëjnë kryekreje për interesin e publikut dhe interesin e shtetit.

Serbia për gjenocidin e ushtruar në Kosovë duhet të nxirret para përgjegjësisë që e ka në raport me shqiptarët e Kosovës. Serbia nuk duhet të lejohet që të kërkoj hise në Kosovë, përkundrazi, ajo duhet t’ia kthej borxhet e shumta që ia ka Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Drejtësia Ndërkombëtare duhet të sfidohet me të drejtë! I përket Drejtësisë Ndërkombëtare që AJO ta marr vendimin meritor mbi bazën e standardeve të proklamuara!