Lista Serbe është rikthyer sot në institucionet e Republikës së Kosovës, pas braktisjes së Kuvendit dhe Qeverisë nga tetori i vitit të kaluar, e si shkas kishin marrë miratimin e Ligjit për Trepçën dhe Ligjit për investime strategjike nga Kuvendi i Kosovës.

Kryetari i Listës Serbe, Slavko Simiq, ka thënë sot se kthimi i tyre është përkrahur nga Qeveria e Serbisë dhe është në interes të komunitetit.

Ai tha se kërkojnë që të respektohen të drejtat e tyre, duke filluar kështu me formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Për hir të banorëve serbë në Kosove jemi kthyer, e jo të drejtueseve të institucioneve. Është kënaqësi që Qeveria serbe e ka përkrah vendimin që të kthehemi. Kërkojmë që të respektohen të drejtat tona. Dëshirojmë që sa më parë të fillojmë me formimin e Asociacionit”, tha Simiq, duke u shprehur kundër çdo ligji dhe procesi që janë në kundërshtim më kërkesat e tyre nacionale.

Ditë më parë në një prononcim për Telegrafin, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, ka thënë se Lista Serbe nuk do t’i kthehet punës në institucionet e Republikës së Kosovës derisa në rend dite do të jetë krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe.

Rashiq po ashtu ka thënë se janë kategorikisht kundër formimit të ushtrisë së Republikës së Kosovës.

Shefi i Grupit parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në një konferencë për media sot ka thënë se deputetët e Listës Serbe janë kthyer në Kuvend që të mos humbin mandatin e tyre si deputet.

I pyetur nga Telegrafi se a kanë pasur marrëveshje institucionet e vendit me Listën Serbe për formimin e Asociacionit pasi janë rikthyer në Kuvend, Konjufca tha se “nëse projektet e mëdha varen nga Lista Serbe, ky është lajm i keq për Kosovën”.

“Nëse ky është pazari që e ka bërë qeveria, nëse e marrim në mënyrë hipotetikë atëherë mendoj që do të ishte goditje e rëndë. Në njërën anë krijohet ushtria në anën tjetër ndahet Kosova”, tha ai.

Ndërkaq analisti, Imer Mushkolaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nuk është arritje nëse institucionet e Republikës së Kosovës kanë arritur t’i bindin ata me qëllim të pengimit të Projektligjit për ushtrinë.

“ Nëse Lista Serbe kthehet në institucione me qëllim që me votë ta pengojë krijimin e ushtrisë, atëherë kjo nuk është kurrfarë arritje e institucioneve që i paskan bindur zyrtarët e saj të kthehen”, tha ai për Telegrafin.

Sipas tij, nuk është zgjidhje e drejtë nëse Demarkacioni, Asociacioni dhe Projektligji për FSK-në, të votohen në pako.

“Nuk është zgjidhje e drejtë që këto tri çështje të votohen në pako, për shkak të pafuqisë së koalicionit aktual qeverisës që ato t’i kalojë në procedurë normale”, ka thënë Mushkolaj.