Është fat dhe krenari që shqiptarët nuk kanë dalë kurrë në rrugë të protestojnë kundër gjuhës maqedonase, por kjo s’do të thotë që mos vrasim mendjen për gjuhën tonë se ashtu askush nuk na do e nuk na respekton!

Nga Dr.Arben Taravari

Në euforinë e ndryshimit të emrit që si çdo gjest i forcuar i kushtoi shumë diplomacisë së brishtë ballkanike, duket se ka mbetur në hije çështja e gjuhës shqipe?
Në negociatat për këtë çështje, në menunë të mbushur me alternativa, shumica shqiptare mbajti pozicion zviceran pa qenë Zvicër për fat të keq! Qëndrimi neutral i atyre pak shqiptarëve që qeverisin në fakt realisht ishte “inekzistencë” e tyre për kështu gjërash! Ali Ahmeti duket se vuan nga një gjendje obsesive-konvulsive pasi nuk sheh dhe nuk mendon asgjë përveç aderimit të Maqedonisë në NATO. Që në fakt nga mania e Ahmetit për në NATO nuk është gjë tjetër veçse një neurozë obsesive prapa të cilës ky njeri fsheh dhe ndaj vetes dështimin e madh politik! Aliu edhe pse shqiptarët që jetojnë në Maqedoni rrezikojnë të shkojnë prapa Diellit si komb, as nuk shqetësohet një fije për këtë fakt, ai do NATO-n! Ky proces është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne por dallimi është që ne duam të shkojmë të identifikuar si shqiptarë në këtë organizatë, kurse duket se për grupin e vjetruar politik nuk është fare e rëndësishme nëse hyjmë si etni e dalluar apo si një popull i asimiluar. Me termin “etni e dalluar” dua të nënkuptoj- që ne, shqiptarëve të na identifikojnë si të tillë, që bota të di zyrtarisht që në këtë shtet përveç të tjerëve, jeton dhe një popull që quhet Shqiptar! Kërkoj ndjesë për termin “Të tjerëve” pasi tingëllon neglizhues, Fan Noli do thoshte “embarasues”, e kam dëgjuar t’a përdorin këtë përcaktues për ne shqiptarët, dhe nuk më ka më ka ardhur mirë. Ndaj për të ardhur tek një konkluzë e drejtë, për mua dhe shumicën dërrmuese të shqiptarëve që nuk përfaqësohen nga “pakica qeverisëse shqiptare”, pra për ne shqiptarët është e rëndësishme që çdo etni të rrojë e të gëzojë në harmoni me traditën, gjuhën,zakonet e veta, e më pastaj është vetëm kjo harmoni që siguron një raport të mirë ndër-etnik.
Nato nuk na do të mërzitur, as nuk na qas e as nuk afron. Ky fakt duhet bërë i qartë dhe për z.Ahmeti i cili duket se ka pësuar një amnezis memoria dhe ka harruar shumë nga e kaluara e tij. Shndërrimi i pabesueshëm i këtij njeriu është rast që ia vlen të studiohet, por për momentin të përqendrohemi tek dyshimi im që dhëntë Zoti e nuk del i vërtetë! Ky statusi i gjuhës shqipe, me ndryshimit e emrit të Maqedonisë si do jetë?!
Do jetë shqipja zyrtare?!
Ndoshta as nuk diskutohet që do jetë, por na ndjeni nëse kemi nevojë t’a dëgjojmë qartë e saktë nga insitucionet kompetente këtë pohim! Dyshimi im është i drejtë, pasi nuk ka shumë kohë që gjuha shqipe u fut në status juridik më të favorshëm. Marrëveshja e Ohrit ose më drejtë Marrëveshja e Zorit nuk u zbatua por u interpretua, e kështu mbeti udhëve duke u zvarritur çështja e gjuhës shqipe.
Tani, duket se gjëkundi nuk po na del ndonjëri dhe të na thotë se ku është gjuha shqipe në këtë meselenë e re të emrit! Dhe mendoj se i takon dhëndrit që kemi vënë ose që është vetvënë në krye të Qeverisë të na thotë diçka për këtë punë.
Jo për të ndarë punët me shovinizëm, por për të qenë realist deri në fund, nuk mendoj se i takon Zaevit më shumë se Ahmetit që të na mbajë të informuar për fatin e gjuhës shqipe… Fati i gjuhës shqipe duket si fjali epike, por për fat të keq ne jetojmë ende në vorbullën e një Epoke Parahistorike, ku ende duan të na zhdukin si identitet, si gjuhë, si histori!
Dhe e keqja është që kahsapana kombëtare mban për flamurtar shqiptar! Sigurisht që është shumë me vlerë që Maqedonia të shkojë në NATO, që edhe të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, por puna është që duhet të ekzistojmë pa të shkojmë! Nëse vazhdojmë dhe shohim kolltuqet e ngrohta të pushtetit, duke shitur gjuhë, komb, traditë e çdo gjë që na identifikon atëherë nuk bëhemi as për në hartë gjeografike e jo më hartë institucionale!
Është fat dhe krenari që shqiptarët nuk kanë dalë kurrë në rrugë të protestojnë kundër gjuhës maqedonase, por kjo s’do të thotë që mos vrasim mendjen për gjuhën tonë se ashtu askush nuk na do e nuk na respekton!
Ata që fshehin emrin e nënës dhe babait, mohojnë përkatësinë e tyre janë njerëz me probleme të thella karakteriale, të dëmshëm për veten dhe për ata që i rrethojnë, ndaj ju i lutemi atyre dasmorëve që janë shtruar në qeveri të gjejnë pak kohë e të lënë ahengun, të na thonë se cili është statusi i gjuhës shqipe, ndryshe do kalojë puna prapë në dorë të krushkut, Zaevit, po nuk është normale që krushku të na dojë më shumë se ata që deklarohen se janë gjaku jonë e që dikur madje na thërrisnin t’i votonim në emër të gjakut!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)