Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një deklaratë për media ka thënë se votimi i Ushtrisë së Kosovës është fitore e secilit njeri që ka vuajtur dhe ka sakrifikuar për shtetin.

Ai ka thënë se me këto tri ligje Kosova ka bërë dy hapa të mëdhenj përpara dhe e ka konsideruar se votimi i dy amendamenteve ishte i rëndësishëm në këtë ligj.

“Me këto tri ligje të reja në Kosovë janë bërë dy hapa të mëdhenj përpara. Kosova ka fituar ministrinë e mbrojtjes dhe është avancuar FSK-ja drejt ushtrisë së shtetit, drejt forcave të armatosura të Kosovës”, ka thënë Kurti.

“Është e domosdoshme që në ditët e ardhme këtë avancim ta përcjellim me përkushtim buxhetor me qëllim që ta ngrisim kapacitetin vetëmbrojtës, por edhe sasinë dhe cilësinë e armatimit, në mënyrë që të rrisim aftësitë për mbrojtjen e shtetit. Dy amendamente ishin të rëndësishme: 7 edhe 42. Amendamenti shtatë e fuste fjalën sovranitet dhe 42 e hiqte kufizimin për 5 mijë pjesëtarë të ushtrisë”, ka shtuar ai.

“Kjo është një fitore e secilit njeri në Kosovë. Kemi vuajtur dhe kemi pasur shumë sakrifica”, ka thënë veç të tjerash Kurti.