Biznesmeni tetovar Lazim Destani i cili është edhe Kryetar Nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, ka thënë se afaristët e diasporës kanë drojë dhe frikësohen të investojnë në Kosovë, edhe pse interesimi dhe vullneti i tyre është tejet i madh.

Biznesmeni me prejardhje nga Tetova ka porositur ekzekutivin kosovar që të bëjë më shumë për të lehtësuar procedurat burokratike që ekzistojnë në Kosovë.

Në një intervistë për Kosovapressin ai ka thënë se ka shumë kompani të mëdha të shqiptarëve në diasporë, të cilat do të vijën dhe do të investojnë në Kosovë dhe ne vendet shqiptare nëse rritet siguria për investime. Sipas Destanit kompanitë më të fuqishme shqiptare janë në Gjermani.

Ai ka thënë se Kosova përveç investitorëve shqiptarë të diasporës ka shumë të interesuar edhe investitorë të huaj, sepse tha se, Kosova dhe viset tjera në rajon janë shumë të pashfrytëzuara.