Poeti i madh kosovar Ali Podrimja, ka përdorur penën e tij për t’i shkruar disa letra shkrimtarit dhe deputetit, Dritëro Agollit në vitet e 90-ta, shkruan KultPlus.

E bija e Dritëro Agollit, Elona Agolli dje i ka publikuar këto letra, të cilat thotë se i kanë dhuruar një ndjesi të dhimbshme. Më anë të letrave, Pordimja i kërkon Agollit që të ngrit zërin më tepër për çështje kombëtare.

KultPlus ju sjellë një letër të poetit Ali Podrimës, drejtuar shkrimtarit të madh Dritëro Agollit. Letra është shkruar më 15 maj të vitit 1992:

I dashur Dritëro

Unë nuk i zgjedh miqtë sipas partive , por sipas bindjeve kombëtare. E di kahmoti se brenda mundësive të tua ke bërë çmos për çështjen kombëtare . Kurrkush nga ne nuk jemi fajtorë për një të kaluar të zezë. Fajtorë janë ata që e mashtruan popullin.

Mik i dashur, nuk dua të më keqkuptosh por as në Kosovën e okupuar nuk kam mundur të has në aq emra sllavë sesa në Shqipëri: Ç’u deshën ata emra; ç’u deshtë të heqim dorë shpesh nga një pjesë më e shndritshme e historisë sonë. Ne bre, nuk jemi popull qysh nga dje; neve na vjen era lashtësi. Më bëhet se çdo pjesë e trupit tonë na është një degë apo rrënjë e nënës tokë.

I dashur Dritëro , nuk ka ditë që nuk e dëgjoj Radio Tiranën dhe di çdo gjë që po ndodh atje. Mbasi të konsideroj për mik shtëpie, e kam një lutje vëllazërore. Më duket se ti je më i vjetri në Parlament. Kam dëshirë që fjala jote të dëgjohet më shpesh në të mirë të çështjes kombëtare. Harroni , burra , njëherë e përgjithmonë ndasitë partiake , kthehuni çështjes kombëtare. A shihni , po digjet Ballkani e ne ende merremi si fiset afrikane ? A keni sy në ballë ju atje në Parlament , se qenia kombëtare duhet të rimëkëmbet dhe nacionalizmi ( e kam fjalën për atë pozitiv e jo për shovinizëm ) të bashkojë popullin kryepërkrye. Njëherë është ngritur Shqipëria, por nga ndasitë tona ajo mund ta pësojë. Dhe nuk është koha më e Ismail Qemalëve dhe Isa Boletinave.

I dashur Dritëro, kam një parandjenjë të çuditshme se Kosova do të na bëhet një Çamëri e re. Të lutem, si vëlla e koleg të pendës, ndërtoni një Parlament vërtet demokratik ku i vjen era shqiptari, zgjidhini çështjet kontestuese në mes vetit si vëllezër të një nëne e gjaku, mos lejoni në përçarjet e juaja të përfitojnë fqinjët tanë primitivë.

E kam edhe një lutje: Radiostacionet e Kukësit, e Shkodrës dhe të Korçës t’i forconi në maksimum për hir të fëmijëve në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Te ne asgjë më nuk funksionon. Deri në themel i kanë rrënuar barbarët. Ngrite zërin edhe për këtë se të ka hije. Ty më shumë se të gjithë deputetëve të tjerë; ti je autori më i dashur i atyre fëmijëve, që vdesin çdo ditë para tytave të agresorit, e nëpër bodrumet e ndota, duke kërkuar një kore bukë.

Dhe kur të dëgjoj se Ti e ke marrë flamurin në dorë; se Shqipërinë nuk e sheh brenda kufijve administrativë, më e lehtë do të më duket vdekja!
Përmes Teje, ua bëj apel edhe intelektualëve të tjerë shqiptarë, pa dallim partie e ndasie, të ngritni zërin kudo dhe kudo të jeni të pranishëm.
Nuk ka gjë më të poshtër kur krijuesi nuk është në anën e popullit dhe kur nuk e ngrit zërin për ata që luftojnë për dinjitet kombëtar dhe njerëzor.

I dashur Dritëro, unë kam besim të madh në fjalën tënde. Po Lidhja e Shkrimtarëve ç’bën? Në mjedise evropiane shkrimtarët janë motor i çështjes kombëtare. Pse të mos jetë edhe Lidhja Juaj , më aktive , më e gjallë dhe më e zëshme?

Çdo të mirë Ty dhe familjes , ju kujton

Ali Podrimja