Qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit të kaluar shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj partive shqiptare dhe si shkak i kësaj votuan një opsion më ndryshe, gjegjësisht votuan LSDM-në, duke patur parasysh që kryetari i LSDM-së në fushatën parazgjedhore premtonte shumë më tepër për shqiptarët dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë në përgjithësi.

Duke patur parasysh që në një kohë të shkurtër do të kemi dhe zgjedhjet lokale, dhe shohim që vota shqiptare vetëm po përçahet dhe shanset janë të mëdha që disa komuna shqiptare të rëmbehen nga ato maqedonase. Njëra nga këto komuna që rrezikon të humbet është edhe Kërçova.

Por a do të jenë të gatshëm partitë shqiptare të përsërisin ditën e 7 janarit, dhe të ulen gjithë bashkë, të vendosin për një kandidat të përbashkët që të garojnë në Kërçovë për zgjedhjet lokale.

Agjencia e Lajmeve Zhurnal lidhur me këtë çështje ka kontaktuar partitë politike shqiptare rrethë gatishmërisë së tyre për tu ulur në tryezë për të nxjerrë kandidat të përbashkët në Komunën e Kërçovës.

Nënkryetari i LR-PDSH-së, Remzi Mehmedi për Zhurnal shprehet se Kërçova përbëhet nga shumica shqiptare, dhe për këtë fakt për asnjë çmim nuk duhet lejuar që Kërçova të udhëhiqet nga pakica.

Mehmedi thotë se LR-PDSH është organizimi politik më konzistent në qëndrime dhe veprime konkrete në segment të unifikimit të faktorit shqiptar në Maqedoni dhe po në të njejtën frymë do të veprojnë edhe në rastin specifik të Kërçovës.

“Kërcova në miniaturë paraqet panoramën e tërë shtetit si tërësi në shumë aspekte, në vecanti në atë të përbërjes etnike por që dallimi qëndron në faktin se Kërçova përbëhet nga shumica shqiptare. Duke u bazuar në këtë fakt nuk duhet në asnjë moment dhe për asnjë çmim të lejojmë që të menaxhohet nga pakica, nëse jo për gjë tjetër do të lëndonim rëndë parimin bazë të demokracisë, që në esencë nënkupton qeverisjen nga shumica duke respektuar të drejtat e pakicave. Ne si LR-PDSH dhe si ALEANCË PËR SHQIPTARËT jemi organizimi politik më konzistent në qëndrime dhe veprime konkrete në segment të unifikimit të faktorit shqiptar në Maqedoni dhe po në të njejtën frymë do të veprojmë edhe në rastin specifik të Kërçoves. Ndonëse ende, në detaje nuk është diskutuar oferta jonë politike në të gjitha forumet e organizimit tonë politik, në parim e kemi deklaruar disa here publikisht që Aleanca për Shqiptarët në Kërçovë do të jetë partner i hapur për të bashkëbiseduar dhe bashkërenduar veprimet konkrete për zgjedhjet lokale në Kërçovë, me të gjithë aktorët dhe faktorët që janë pro rregullës bazë të demokracisë që shumica të udhëheqi me qytetin, e që në rastin konkret janë shqiptarët. Rreth kësaj ideje dhe po në këtë frymë jam pronocuar edhe në një intervistë në një mëdium ku kam propozuar idenë e tryezës së përbashkët në të cilën do të merrnin pjesë përfaqësuesit e partive politike, përfaqësuesit e bashkësive etnike më të vogla e në veçanti përfaqësues të mërgatës shqiptare si faktori vendimtarë, të cilët së bashku do të nxjerrim konkluzion për modalitetin e veprimit të mëtutjeshëm”, ka deklaruar për Zhurnal, zv.Ministri i Transportit dhe Lidhje, njëherit nënkryetar i LR-PDSH-së, Remzi Mehmedi.

Nga ana tjetër shefi i kabinetit të kryetarit të Lëvizjes BESA, Faton Fazliu për Zhurnal shprehet se interesi i Lëvizjes BESA është që të ketë sa më shumë kryetarë të komunave shqiptarë, por në të njejtën kohë ata të jenë cilësorë. Ai thotë se Lëvizja BESA po bënë çmos që të ofrojnë kandidatura sa më të mira për qytetarët, por Fazliu shprehet se kur të kenë vendime konkrete në raport me zgjedhjet lokale, atëher do t’i bëjnë publike.

“Interesi i Lëvizjes Besa është që të ketë sa më shumë kryetarë të komunave shqiptarë por në të njëjten kohë ata të jenë cilësorë. Në këtë drejtim ne po bëjmë çmos që të ofrojmë kandidatura sa me të mira për qytetarët ndërsa kur të kemi vendime konkrete në raport me zgjedhjet vendore atëherë do t’i bëjmë publike”, ka deklaruar për Zhurnal, shefi i kabinetit të kryetarit të Lëvizjes BESA, Faton Fazliu.

Agjencia e Lajmeve Zhurnal disa herë tentoi të bie në kontakt edhe me BDI-në rrethë kësaj çështje, por për arsye të panjohura nuk morrëm prononcim zyrtar nga kjo parti.