Shkruan: Abdulla Mehmeti

A e dini si është emërtuar ligji i ri, të cilin disa e konsiderojnë se është ligj për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë?

Ligji i tanishëm, 2018:

„Ligj për përdorimin e gjuhëve“ në Republikën e Maqedonisë (DISA GJUHË).

Ligji i mëparshëm, 2008:

„Ligj për përdorimin e gjuhës që e flasin më së paku 20% e
qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale“ (NJË GJUHË).

Ky është dallim thelbësor, pavarësisht nga avancimi i dukshëm i përdorimit të gjuhës që e flasin mbi 20% e qytetarëve, përmes ligjit të ri. Vetë emërtimi i kësaj gjuhe si gjuhë që e flasin mbi 20% e qatetarëve, jo si GJUHË SHQIPE, që konsiderojmë se është bërë me qëllim që ligji aktual të mos del nga kornizat e dispozitave kushtetuese, len për të dëshiruar, por nuk e zgjidh çështjen e zyrtarizimit të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Me këtë „Ligj për përdorimin e gjuhëve“ (të disa disa gjuhëve) përfitojnë edhe gjuha turke, gjuha serbe dhe gjuha rome, të cilat në nivel të disa komunave në Maqedoni janë gjuhë në përdorim zyrtar (edhe më parë kanë qenë në përdorim zyrtar).

Ligji i ri për përdorimin e gjuhëve, në raport me ligjin e mëparshëm, i cili ka qenë në fuqi nga viti 2008, sipas emërtimit është më restriktiv në lidhje me gjuhën shqipe se ligji i mëparshëm, sepse vendos barazimin e gjuhës shqipe (të nënkuptuar si përqindje) me gjuhët tjera të pakicave kombëtare.

ARGUMENTI:

Ligji për përdorimin e gjuhëve (aktual) e rregullon çështjen e përdorimit të DISA GJUHËVE në Republikën e Maqedonisë, ndërsa Ligji i mëparshëm, sipas emërtimit, ka qenë ligj për përdorimin e një gjuhe, të gjuhës që e përdorin mbi 20% e qytetarëve (që nënkupton përdorimin e gjuhës shqipe).

„Ligj për përdorimin e gjuhës që e flasin më së paku 20% e
qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale“ (“Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 101/2008 dhe 100/11).