Partia maqedonase në pushtet LSDM, përmes një kumtese për media thekson se me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, Maqedonia ka hapur, një faqe të re të të ardhmes, stabilitetit, sigurisë dhe progresit ekonomik.

“Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës i ka hapur perspektivat, proceset për anëtarësim në NATO dhe në BE janë në fazë përfundimtare. Maqedonia bëhet vendi anëtar i 30-të i NATO-s, ndërsa në vitin 2019, pritet edhe fillimi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe hapjen e kapitujve të parë”.

“2019-ta do të jetë viti i integrimeve, por edhe viti i rritjes dhe zhvillimit ekonomik dhe më shumë para te qytetarët. Është paraparë një rritje e pagës minimale, që do të thotë më shumë para te punëtorët, te familjet”, thonë nga LSDM.

Nga kjo parti shtojnë se do të vazhdojnë me zbatimin e masave që sigurojnë progres, integrim, rritje ekonomike dhe rritje të standardit të jetesës për të gjithë qytetarët.