LSDM sot kërkoi që Gjykata Kushtetuese menjëherë të prononcohet për kushtetutshmërinë e Ligjit për Prokurorinë Speciale Publike, ndërsa deri atëherë deputetët e tyre nuk do të marrin pjesë në punën e Kuvendit.

“Të gjitha partitë politike duhet të dëshmojnë se me të vërtetë e përkrahin punën e Prokurorisë Speciale Publike. Partitë parlamentare përkrahjen e tyre të vërtetë për punën e Prokurorisë Speciale Publike do ta dëshmojnë nëse edhe ata nuk marrin pjesë në punën e Kuvendit. Kjo ka të bëjë edhe për deputetët e pavarur”, deklaroi sot lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.

Ai vlerësoi se fjalimi i mbrëmshëm i presidentit Gjorge Ivanov është përpjekje që të prishet reputacioni, statusi dhe përkushtimi juridik i PSP-së.

Sipas Zaevit, kriza politike duhet sa më shpejtë të përfundojë, ndërsa dalja nga ajo është e mundur vetëm përmes qeverisjes së të drejtës dhe plotësimit të kushteve për zgjedhje të drejta, të lira, demokratike dhe kredibile.

Zaev përsëriti se nevojitet pastrimi i listës zgjedhore, reformat në media dhe formimi i qeverisë, e cila do të krijojë kushte dhe do të zbatojë zgjedhje të drejta, demokratike dhe kredibile.

“Përndjeka e qytetarëve të cilët protestojnë duhet të ndalet. Njëkohësisht theksojmë se opozita pajtohet që qytetarët në mënyrë aktive të përfshihen në procesin negociues”, tha Zaev.