Tetova pritet të jetë një garrë e fortë për të gjitha partitë politike shqiptare në këto zgjedhje lokale.  Aktualisht, “Aleanca për shqiptarët” bazuar në planin operativ dhe strategjik të saj gjithnjë e më tepër po e “tremb” kandidaten për kryetare komune Teuta Arifi, e cila siç duket, nuk e priste një rezistencë kaq të fuqishme nga ana e ekipit të kombinuar të kuadrove të rinjë dhe atyre me përvojë të Aleancës për Shqiptarët.

Sipas informatave të terenit, Teuta Arifi llogaritet si favorite kryesore, mirëpo qytetarët e Tetovës nuk e pranojnë miqësisht BDI-në nëpër lagjet e qytetit, prandaj tashmë kjo parti qeverisëse mezi ka hapur 9 shtabe lokale dhe udhëheq nja kampanjë të zbehtë duke mos pasur masovitetin e duhur. Nga ana tjetër, Aleanca për shqiptarët krahasuar me BDI-në, ka arritur të hap 13 shtabe lokale. Edhe partitë tjera shqiptare që garojnë për kreun e qytetit, Lëvizja Besa dhe PDSH kanë pozicionuar forcat në teren, por befasi në këtë proces zgjedhor paraqet Lëvizja Besa e cila me sa duket i është zënë fryma dhe nuk po arrinë të mbajë hapin në kuptimin organizativ, me dy partitë e sipërpërmendura. Lëvizja Besa deri në këtë fazë të fushatës ka hapur 7 shtabe lokale me tendencë rritjeje, po aq sa ka hapur edhe Partia Demokratike Shqiptare, pra 7.

Bazuar në këtë, luftën e shtabeve dhe aktivistëve partiak në Tetovë do të udhëheqin BDI dhe “Aleanca për shqiptarët”, me kandidatët Teuta Arifi dhe Adnan Neziri.