Kompania Apple para një jave prezantoi modelin e ri të telefonit të njohur celular iPhone, gjegjësisht modelin iPhone X, i pajisur me një ekran me rezolucion më të lartë, me teknologjinë e karikimit apo mbushjes me valë dhe identifikimin e fytyrës së pronarit pa marrë parasysh mban apo jo kapele, ka lëshuar mjekër apo ka harruar të nxjerrë syzet, shkruan gazeta KOHA. Krahas modelit X, kjo kompani ka prezantuar edhe dy modele të reja si iPhone8 dhe iPhone 8 Plus.

Modeli parë – iPhone i kompanisë Apple, që u paraqit para dhjetë vitesh, vendosi standardet të shumta teknike, që më vonë janë ndjekur nga mjaft prodhues të tjerë të telefonave celularë. Prej atëherë e deri më sot, Apple vazhdimisht në modelet e saja vendos risi të ndryshme, andaj edhe renditet ndër aparatet më të kërkuara dhe më të çmuara në tregun e telefonave celularë.

Përkundër dilemës se sa realisht vlejnë modelet e prodhuesit Apple , janë ose jo një luks apo një telefon i mençur që përdoret masovikisht, modelet e telefonave Apple lakmohen në të gjithë përkundër të ardhurave të tyre mujore. Duke ditur se modeli i ri i iPhone kushton 1000 dollarë, si dhe duke marrë parasysh rrogën mesatare prej 22.808 denarë në Maqedoni për një orar pune prej 160 orë në muaj, dhe vlerën e një dollari prej 51.5 denarë, mund të përllogaritet se me koston e 142 denarëve apo afër 2.8 dollarë të një orë pune, në Maqedoni nevojiten 357 orë punë për të blerë risinë më të re teknologjike të kompanisë Apple. Në Shqipëri, sipas INSTAT apo statistikave zyrtare, paga mesatare është 45 mijë lekë, apo 365 dollarë për të cilat punohet 40 orë në javë apo 160 orë në muaj. Si rrjedhojë, mesatarisht për një orë pune, një punëtor shqiptar fiton rreth 2.3 dollarë. Andaj, një punëtor në Shqipëri, për të blerë iPhone X, i cili kushton 999 dollarë (111.578 lekë me kursin aktual të këmbimit) do t’i duhen mesatarisht 438 orë apo 54 ditë pune. Në Kosovë, për të blerë një model iPhone X duhet të punosh 42 ditë pune apo 336 orë pune.

Nga vendet e rajonit, më pak orë pune duhen në Malin e Zi, ku një iPhone mund të blihet mesatarisht me 291 orë pune. Në Kroaci, raporton KOHA, me një pagë mesatare prej 6000 kuna apo 1000 dollarë, nevojiten 67 ditë punë për blerjen e një iPhone të ri X. Në Bullgari, me një pagë mesatare prej 531 euro apo 633 dollarë, nevojiten 243 orë pune. Në Evropë, për të blerë një iPhone X kërkohen më pak orë punë. Në Gjermani, me një pagë mesatare prej 3700 euro apo 4415 dollarë në muaj, nevojiten më pak se një javë për të blerë telefonin më të ri. Në ndërkohë, ndër karakteristikat e reja të iPhone X, i njëjti do të jetë i pranishëm në dy ngjyra, i bardhë dhe i zi, me çmim duke filluar nga një mijë dollarë. iPhone X përdor sistemin e njohjes së fytyrës për të identifikuar zotëruesin dhe jo gjurmën e gishtit. Apple thotë se “FaceID” mund të funksionojë edhe në errësirë, duke përdorur 30 mijë pika infra të kuqe për të kontrolluar identitetin dhe është shumë më i vështirë të manipulohet, krahasuar me sistemin e vjetër “TouchID”. Ky është telefoni inteligjent më i shtrenjtë i Apple deri më tani që ka madhësi të ekranit prej 5.8 inç. Një model me kapacitet 64 GB do të kushtojë 999 dollarë kur të dalë në shitje më 3 nëntor, ndërsa versioni 256 GB do të ketë një çmim prej 1149 dollarësh. iPhone X është një investim afatgjatë i Apple dhe përcakton trendin e gjeneratës së re të aparateve iPhone.

Një ekran “OLED” dhe dizajni i ri ka gjasa të përcaktojë një standard për smartfonat e rinj të Apple. Më herët, kompania zbuloi iPhone 8 dhe iPhone 8 Plus, të cilët ishin të parët që kishin edhe opsionin e karikimit “vireless”. Smartfonat e rinj kanë xham edhe në pjesën e pasme dhe procesorë më të shpejtë, sensorë të përmirësuar të kamerave dhe altoparlantë më të fuqishëm sesa modelet e mëparshme. Aparatet e rinj iPhone përkojnë edhe me prezantimin e “IOS 11”, versioni më i fundit i sistemit operativ të Apple. Ndryshe, shenja “X” vjen nga numri romak që do të thotë dhjetë. Kjo përkon me vitin e daljes në treg të telefonit të parë iPhone, që u paraqit si telefoni i parë i mençur në botë. Ndër dhjetë inovacionet e telefonit të ri janë Façe ID (njohja e fytyrës), TrueTone Displey (incizimin e videos në 4K kualitetin me 60 frejma në sekondë), Slou-Motion me 240 frejma për sekondë të cilësisë 1080p, kamerën e përparme me opsionin TrueDepth etj.