Maqedonia ka taksat rrugore- patarinat më të shtrenjta në rajon, por Qeveria nuk medon t’i lirojë dhe t’i pakojë pikëpagesat, për shkak se nëpërmjet tyre mirëmbahet rrjeti rrugor. Sipas OEMVP-së, çmimi i lartë i patarinave dhe cilësia e rrugëve nuk korrespondojnë njëra me tjetrën, godet kompanitë dhe pengon zhvillimin ekonomik të Maqedonisë, shkruan Portalb.mk. Heqje të pikëpagesave kërkuan nga mërgata shqiptare e Maqedonisë.

Sipas analizës së Portalb.mk, qytetarët e Maqedonisë, krahasuar me ata të rajonit paguajnë taksa rrugore më të shtrenjta. Nëse një shtetas i Rumanisë për 7 ditë paguan 3 euro, një shtetas i Maqedonisë për aq ditë paguan 10 euro. Maqedonia numëron 10 pikëpagesa rrugore, por megjithëse nuk parashihet ulje të numrit të tyre, ato do të shtohen edhe për dy me vënien në funksion të autostradës Demir Kapi – Selanik.

Nëse udhëton në relacionin Gostivar – Kumanovë duhet të paguhen gjashtë patarina, kurse nga viti i ardhshëm pesë patarina do të paguhen edhe në relacionin Shkup – Gjevgjeli. Nga Qeveria e Maqedonisë nuk parashohin ulje të çmimit të patarinave dhe heqje të pikëpagesave, pasi që nëpërmjet tyre mirëmbahet rrjeti rrugor në Maqedoni.

“Në këtë moment nuk është duke u menduar që të ndryshohet çmimi i taksës rrugore, dhe nuk ka vendim që të hiqen patarinat, as nuk parashihet ndryshim i Ligjit për rrugë publike për ndryshim të çmimit të patarinave. Dëshirojmë të sqarojmë se me mjetet nga taksa rrugore, investohet dhe mirëmbahet rrjeti rrugor në Republikën e Maqedonisë”, deklaruan nga Qeveria e Maqedonisë.

Pas një hulumtimi të shkurtër të bërë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore është vërtetuar se për patarinat kompanitë harxhojnë deri 2 miliardë denarë, ndërkohë që shprehin pakënaqësi për cilësinë e rrugëve.

“Pas një hulumtimi të shkurtë i bërë nga ana e OEMVP-së tek kompanitë anëtarë, erdhëm në përfundim që kompanitë afërsisht në nivel vjetor i kanë shpenzimet rreth 1 deri 2 milionë denarë për pagesa rrugore, ku kompanitë shprehën pakënaqësinë e tyre sepse kjo vlerë ndikon në rritjen e çmimit të produkteve dhe shërbimeve. Gjithashtu shprehën pakënaqësinë në aspekt të cilësisë së rrugëve që shton harxhimet e kompanisë në mirëmbajtjen e mjeteve të transportit. Fatkeqësisht çmimi momental i pagesave rrugore nuk reflektohet në cilësinë e kushteve që u ofrohen personave që udhëtojnë çdo dit dhe kryejnë pagesat rrugore”, tha për Portalb.mk, drejtori i OEMVP-së, Drilon Iseni.

Drilon Iseni gjithashtu tha se çmimi i lartë i patarinave dhe infrastruktura e dobët rrugore godet direkt kompanitë në likuiditetin e tyre, e kurse pengon zhvillimin ekonomik të Maqedonisë.

“Infrastruktura paraqet parakusht të rëndësishëm për bizneset si dhe për rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit, prandaj OEMVP i sheh të rëndësishme investimet në infrastrukturë. Pagesat rrugore gjithsesi ndikojnë në ekonominë e vendit, dhe qëndrimi jonë për këtë është që çmimet duhet të revidohen dhe të jenë me një nivel më të arsyeshëm, pasi që kjo godet kompanitë direkt në likuiditetin e tyre, ndikon në rritjen e çmimit të produkteve dhe normalisht kjo gjithashtu ndikon në fuqinë blerëse të qytetarëve”, tha më tej Drilon Iseni.

Patarinat dyfish më shtrenjtë nëse paguhen me euro
Problemi me patarinat thellohet më shumë, veçanërisht nëse në pikëpagesat kalojnë ngasës të veturave që nuk posedojnë denarë. Rasti është me mërgimtarët që vijnë në Maqedoni dhe me shtetasit e Kosovës që janë të shumtë gjatë fundjavave. Kjo sepse një patarinë është 40 denarë, por nëse nuk ke denarë, ajo do të jetë 1 euro.

Në lidhje me këtë, nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore deklaruan se më shtrenjtë kushton një patarinë me euro për shkak të konvertimit direkt të euros në denarë. Të njëjtën arsye na e dhanë edhe nga Qeveria e Maqedonisë si aprovuese e ndryshimeve ligjore në vitin 2014 me të cilat u parapanë edhe çmimet e patarinave.

“Vlera e çmimit të taksës rrugore është e përcaktuar në Vendimin për nivelin dhe mënyrën e pagesës të kompensimit për përdorim të rrugëve (patarina), Sipas Vendimit ekzistojnë dy lista çmimesh. Lista e Parë është në valutën vendase – denarë, e dyta është për pagesat në euro, sic është edhe në vendet tjera të rajonit. Dallimi del nga provizioni i lartë i bankave gjatë blerjes dhe konvertimit të euros në denarë. Kjo do të thotë se kur euro konvertohet në denarë, bankat marrin provizion gjatë blerjes së euros me çka zvogëlohen të ardhurat nga pagesat e taksës rrugore të NPRSH në bazë të pagesës me euro”, thanë nga Qeveria e Maqedonisë.

Për çmimin prej një euro nga OEMVP-ja vlerësuan kështu: “Ne mendojmë që vlera prej 1 euro nuk e vështirëson qarkullimin e turistëve në aspektin e lartësisë së shumës, mirëpo problemi qëndron në cilësinë jo të lartë të rrugëve që e marrin (fitojnë) me kryerjen e pagesës rrugore”.

LEXO: Mërgata Shqiptare kërkon nga Qeveria që të mos ndërtohen pikë pagesa
Në lidhje me numrin e madh dhe çmimin e lartë të patarinave, ka reaguar edhe Lidhja e Diasporës Shqiptare në Maqedoni, ku ka kërkuar nga Qeveria që të ndalojë së ndërtuari pikëpagesa, të heq modelin e patarinave dhe të vendos modelin me vinjeta. Sipas tyre, çmimi aktual i patarinave në Maqedoni nuk korrespondon me standardin jetësor dhe rrugor ekzistues.

Ndryshe, taksa rrugore formalisht nuk paguhen në Gjermani, në shtete e Beneluksit (Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu), në Britani të Madhe dhe në shtetet skadinave (Suedia, Danimarka dhe Norvegjia), disa të dhëna e fusin edhe Finlandën dhe Islandën.

Një tjetër mënyrë e pagesës së taksave rrugore është në Francë, Itali, Spanjë, Serbi dhe Kroaci, ku ato paguhen në bazë të kilometrave të kaluar me veturë, e kurse mënyra e fundit e pagesës së tyre është e ashtuquajtura, vinjeta.

Sistemi i fundit, më në dëm të qytetarëve, është në Maqedoni dhe Greqi. Këtu hynë taksat rrugore që paguhen sa herë që kalon në 10 pikëpagesat që gjenden në territorin e Maqedonisë.

Ndryshe, pikëpagesat rrugore funksionojnë që nga viti 1924, kur Benito Musolini, dha urdhër që në autostradën Milano – Venecia, të paguhet “pagamento pedagi”, e ashtuquajtura taksë rrugore apo patarinë. Kurse gjatë viteve 50-ta të shekullit XX, në Francë, Itali dhe Spanjë filloi vendosja masive e pikëpagesave për të paguar taksën rrugore.