Më të rëndësishme do të jenë ndryshimet e kancerit të kësaj shoqërie, Kushtetuta e cila është materie e gjallë dhe mund të ndryshojë, por duhet vullnet dhe reflektim pozitiv, e krejt kjo me një qëllim duke shprehur lirshëm identitetin kombëtar dhe si qytetar i lirë t’i bashkohemi shteteve evropiane ku edhe gjeografikisht i takojmë

Nga Dr.Bekim TATESHI

Nuk mbahet mend kur ky territor është vizituar nga figura kaq të larta politike me ndikim në përmasa botërore. Siç duket bashkësia ndërkombëtare si kurrë më parë është jetësisht e interesuar për të integruar Ballkanin Perëndimor në gjirin e saj duke devijuar kufirin gjeopolitik nga lindja dhe veriu së bashku me rreziqet e ekzistencës të kombit tonë në viset e ish-Jugosllavisë, e cila para dy dekadave qëndronte e varur në pe të hollë.

Referendumi është një mjet i fortë demokratik ku shtetasit vendosin për çështje të rëndësishme. Pas Marrëveshjes të Prespës, qeveritarët momental hyrën në një rrezik të panevojshëm duke u munduar të mbajnë fjalën gjoja të dhënë gjatë kampanjës parazgjedhore dhe tentimi për poentim politik që vetëm partitë qeveritare janë meritorët për eurointegrimet duke mos kalkuluar mirë me kalkulatorët joreal partiak. Ishin deputetët e Aleancës për Shqiptarët që votuan të përmbajtur në Parlamentin e Maqedonisë për vendimin për tu mbajtur referendumi. Jo se janë kundër NATO-s dhe BE-së, që është konstatimi më banal nga një pjesë e qeveritarëve, por janë tre arsye konkrete: e para, shqiptarëve nuk ju duhet referendumi me kështu pyetje se anketat e 20 vjetëve të fundit kanë rezultuar me përgjigje bindëse për integrimin euroatlantik; e dyta, ky referendum do të thellojë konfliktet ndëretnike dhe intraetnike që u dëshmua që nga fillimi i kampanjës dhe e treta, ky referendum do të kushtojë shumë, ndoshta sa për ndërtim të një spitali të vogël, një shkollë fillore apo të mesme se universitete kemi sa të duash. Sipas disponimit të votuesit shqiptarë në Maqedoni, kemi disa grupe: ato me numër më të madh që do dalin dhe do votojnë pro me arsyetim se duan integrim euroatlantik për sigurinë dhe mirëqenien e familjes dhe kombit si dhe borxhin që ndjejnë për ndihmën nga bashkësia ndërkombëtare gjatë çlirimit dhe formimit të shtetit të Kosovës dhe ndikimin e fortë gjatë konflikteve në Maqedoni dhe në Luginë.

Grupi i dytë janë qytetarët që do votojnë kundër, me arsyetim se ky shtet nuk meriton që votat shqiptare të jenë vendimtare për formimin e shtetit të ri, se të njëjtit gjatë referendumit të 91-shit pasi arritën konsensusin nacional nënçmuan dhe eliminuan votuesin shqiptar e sot, po të njëjtit, por në një formë tjetër agjitojnë haptazi ndër shqiptarë duke luajtur rolin e shpëtimtarit, grupi i tretë janë ato që do të bojkotojnë dhe në parim, sipas mendimit tim, kanë të drejtën e tyre qytetare, por në princip nuk shfrytëzojnë mundësinë e vetme për ta çuar shtëpinë e tyre, mëhallën, qytetin në Europë që të rinjve tone t’ju ofrojmë Europën këtu ku nuk mund të themi se s’ka mirëqenie, por mungon sistemi i meritokracisë, sistemi i shpërblimit dhe dënimit, sistemi i funksionimit të institucioneve.

Pas referendumit na pret një rrugë e gjatë dhe e rëndë, por edhe vendimtare. Më të rëndësishme do të jenë ndryshimet e kancerit të kësaj shoqërie, Kushtetuta e cila është materie e gjallë dhe mund të ndryshojë, por duhet vullnet dhe reflektim pozitiv, e krejt kjo me një qëllim duke shprehur lirshëm identitetin kombëtar dhe si qytetar i lirë t’i bashkohemi shteteve evropiane ku edhe gjeografikisht i takojmë. Pas kësaj propozoj krijim të një qeverie tekniko-profesionale, ku nga kryeministri e deri te ministrat do duheshe të jenë shtetas profesionist nga Bashkimi Europian me detyrë primare vendosjen e të drejtës në çdo pore të institucioneve shtetërore duke eliminuar korrupsionin dhe keqpërdorimet deri në zero përqindje, duke vendosur sistem për funksionim normal të çdo ministrie, të çdo agjencioni, shkolle, universiteti, spitali, gjyqësorit, policisë e shumë e shumë qelizave kruciale të një shteti normal. Ky ekip profesionistësh do duheshe të qeverisë deri në momentin kur borxhet e shtetit do shlyheshin deri në zero e pastaj të mbaheshin zgjedhjet parlamentare ku fati i shtetit do të vinte në duart e politikanëve me çip të ri pa gabime nga e kaluara. Dhe për fund, ne duhet të jemi në NATO dhe EU, ta vulosim këtë më 30 shtator. (koha.mk)