Sebastian Kurz (30) është shefi i partisë popullore austriake (ÖVP). Ministri i jashtëm në detyrë është përzgjedhur shefi i ri i partisë së djathtë me 98.7 përqind të votave dhe tani mund të konkurrojë si kancelar. Votimi u mbajt në Linz dhe konkretisht ai rrëmbeu 464 nga 472 vota. Ai është pasardhësi i Reinhold Mitterlehner, i cili për shkak të rezultateve të dobta të partisë është dashur të tërhiqet.

Partia popullore austriake është partia e dytë më e fuqishme dhe udhëheq vendin në koalicion me të majtët e SPO. Të dyja rrezikohen nga rritja e partisë populliste FPO e Heinz Strache që është edhe kundër pavarësisë së Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Kurz njihet për mbështetjen që i bëri partisë së Nikola Gruevskit, OBRM, përpara zgjedhjeve të 11 dhjetorit. 30 vjeçari i ishte falenderues partisë konservatore maqedonase për mbylljen e kufirit për refugjatët nga Lindja e Mesme. Kjo shkaktoi zemërimin e shumë mediave perëndimore./Bota sot