Shkruan Rita Behadini

Ju kërkoni revoltë, protestë nga studentët e Maqedonisë por jeni vetë ju ata që i keni mësuar të heshtin. Jeni ju ata që kurrë dorën nuk ua keni zgjatur, jeni ju ata që i keni mësuar të heshtin para profesorit sepse ai e ka pushtetin, jeni ju ata që ua keni dhënë paratë t’ua mbushin xhepin profesorëve. Studentët te ne jo që nuk janë të interesuar të dalin rrugëve për protestë, ata janë aq të heshtur dhe joaktiv sa as dhjetë përqind të një punimi që u takon nuk janë të interesuar ta kërkojnë. Të gjithë ne sëbashku ju kemi mësuar atyre se ndryshimi nuk ndodh, se shteti udhëhiqet nga kriminelë, se është normale të fusësh të holla nën fletën e provimit. Mbi të gjitha, jeni ju ata që nuk i keni përkrahur kur ata kanë marrë iniciativa, ua keni lënë sallat bosh, keni refuzuar të jeni pjesë e iniciativave të tyre, keni refuzuar të merrni pjesë, keni refuzuar të ndihmoni. Mos kërkoni protestë prej dikujt që kurrë dorën nuk ia keni zgjatur. I lini të mjerë me vite dhe kur vjen puna të kërkoni përgjegjësi jeni të parët që e bëni.
Unë jam studente gati tre vite tashmë, e di shumë mirë se sa përkrahemi ne. E di shumë mirë se çka mendojnë studentët, e di shumë mirë edhe çka kërkojnë ata. Ju keni krijuar vetë studentë të heshtur, me veprimet që i bëni në përditshmëri, me profesorët që punësoni çdo ditë, me studentët që ju dalin nga salla pa fituar asnjë dituri sepse profesorit i është kujtuar sot të flasë për kohën e tij të studimeve.
Ju i keni marrë gjithë pushtetin studentëve, i keni rrjepur, i keni diskrimimunuar dhe në fund prej tyre kërkoni përgjegjësi.
E kur tenton të ndryshosh diçka për mirë në shoqërinë tonë, të lëshohen si ujqër të të rrjepin, sepse janë mësuar fjala e fundit të jetë e tyre.
Kur të kërkoni përgjegjësi prej studentëve kujtoni kutitë e votimeve që i mbushët dhe ua mbyllët çdo rrugë për një të ardhme më të mirë. Është shumë më e lehtë të ikësh në Gjermani, se sa të luftosh me hijena në Maqedoni!