Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë nuk duhet të shitet si ide e bashkimit kombëtar. Nuk ka asnjë projekt më të leverdishëm për propagandën serbe dhe ruse nëse trumbetohet në këto rrethana bashkimi i Kosova me shtetin amë, përderisa mbeten jashtë këtij projekti politik më tepër se gjysma e territoreve etnike, sa kanë këto dy shtete së bashku. Më mirë do të ishte nëse politikanët që e propagandojnë dhe mbështesin këtë ide, ta përmbyllin njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës; të përpiqen për anëtarësimin e saj në OKB, në institucionet ndërkombëtare, në radhë të parë në strukturat euroatlantike, se sa të shesin mjegulla për interesa politike ditore. Përmes idesë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë në këto rrethana, Serbia nuk do të kishte siguruar advokatë më të mirë, sepse përmes kësaj ideje ajo e hap ndërkombëtarisht kontestin me Shqipërinë për ndarjen e Kosovës. Aleatët e kombit shqiptar që kanë derdhur miliarda dollarë për çlirimin e Kosovës e dinë më mirë se si duhet të avancohet çështja shqiptare, se sa këta poltikanë që i kanë zhvatur fondet financiare për çlirimin e Kosovës dhe e kanë katandisur shtetin e Kosovës në gjendje që as armiqtë më të mëdhenj të saj nuk do të kishin arritur ta bëjnë, ndërsa Shqipërinë e kanë shndërruar në dele të zezë mes shteteve të Evropës, trojet shqiptare në çerdhe për rekrutimin e terroristëve, kopshte të kanabisit, kontrabandës dhe krimit të organizuar. Nuk bashkohet kombi dhe Atdheu i coptuar nëse bashkohen kriminelët rreth një interesi të përbashkët, në shërbim të Serbisë dhe Rusisë! Para përfundimit të misionit të tyre, të Gjykatave dhe Prokurorive Speciale Publike, në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup, ju faleminderit për ,,bashkimin kombëtar” siç pretendoni Ju!

Shkuran: Abdulla  Mehmeti, ( Kryetar i Akademisë Shqiptare Amerikane të Shkencave dhe Arteve, Shkup )

.