Mehmeti: Pse largohen shqiptarët nga Maqedonia?

Shkruan Abdulla Mehmeti

Në fushatat parazgjedhore të partive politike, qytetarët, votuesit dhe opinioni nuk njoftohen dhe informohen me programe reale të tyre, për aktivitetet, planet dhe projektet që duhet t’i realizojnë gjatë mandatit që e fitojnë për ushtrimin e pushtetit, me ndihmën dhe votën e qytetarëve, por helmohen me propagandë, saqë qytetarët shpeshherë mund ta pyesin vetveten të habitur, nëse bëhet fjalë për programe, aktivitete, plane dhe projekte që janë realizuar apo duhet të realiohen në shtetin, komunën dhe venbanimet ku ata jetojnë, apo për ndonjë vend tjetër, të cilin nuk e kanë parë asnjëherë!

Programet e aktiviteteve dhe projektet e planifikuara që është dashur të realizohen gjatë mandatit të kandidatëve të këtyre partive, në kuadër të pushtetit vendor apo qendror, deri më sot kanë qenë një lustër e hedhur me mjeshtri mbi planet dhe qëllimet e fshehura dhe të errëta të klaneve partiake, të strukturuara me mjeshtri nga shërbimet sekrete dhe mafia politike, e shtrirë si merimangë nga bazat partiake deri në majën e pushtetit, atje nga planifikohen, ndahen dhe kontrollohen tenderët, në emër të të cilëve derdhen shuma të mëdha të parave, nga buxheti i shtetit, fondacionet e jashtme, kreditë dhe ndihmat që duhet të përdoren për zhvillim, arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe standard më të mirë jetese të qytetarëve.

Sipas rregullave të pashkruara të nëntokës politike kriminale, e cila i menaxhon dhe kontrollon këto procese, së paku 20% e këtyre mjeteve „avullohen“ në duart, llogaritë e fshehta bankare dhe xhepat e oligarkëve në majën e kësaj piramide mafioze; 20% zakonisht u ndahet partive, partnerëve të koalicioneve në pushtetin qendror dhe lokal, me marrëveshje të ndërsjellë; 20% përfundojnë në llogari të realizuesve, ndërmarrjeve që zakonisht janë të lidhura me pushtetin (i kanë themeluar drejtuesit e partive, familjarët dhe të afërmit e tyre, ose ndërmarrje që punojnë me përqindje) të kontrolluara nga struktura të veçanta në kreun e partive politike, me oligarkë të tjerë dhe me stukturat e shërbimeve sekrete. Kështu, asnjë projekt nuk mund të realizohet në afatin e paraparë, me vëllim dhe cilësi siç është planifikuar, për shkak të „avullimit“ të mbi gjysmës së mjeteve financiare të parapa për realizimin e këtyre projekteve. Një numër i madh i këtyre projekteve ekzistojnë vetëm në letër, që mbahen fshehur në syrtarët e sektorëve të ndryshëm, si në pushtetit qendror dhe në pushtetin vendor, ndërsa mjetet e parapara financiare për realizimin e tyre askush nuk e din saktë ku dhe si kanë përfunduar.

Askush nuk ka qasje në këto lojëra të pista të mafias politike, e cila rrjetin e saj e ka shtrirë me mjeshtri në pushtetin ligjdhënës, ekzekutiv dhe gjyqësor. Mediat e paguara dhe kontrolluara nga pushteti janë të detyruara ta orientojnë opinionin kah ngjarjet më të „nxehta“ të ditës, që ta mbajnë sa më larg nga këto çështje. Mediat e pavarura që kanë tentuar të futen në këto labirinte, duke prekur interesat e këtyre klaneve, i kanë falimentuar dhe mbyllur dhunshëm, me shantazhe e kërcënime, ndërsa ndonjë nga gazetarët që ka tentuar individualisht të hulumtojë në këtë sferë, ka përfundur keq; ose u janë kurdisur procese të montuara, ose janë deskredituar, izoluar, burgosur, disa edhe janë likuiduar fizikisht.
Kështu, që nga viti 1991, pas pavarësimit të Maqedonisë e deri më sot, mendohet që së paku 10-15 miliardë euro kanë përfunduar në humnerën e errët të këtyre bandave kriminale, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake dhe orientimi ideologjik formal i tyre, zakonisht të kontrolluara dhe mbrojtuara nga qendra jashtë vendit, ndërsa qytetarët dhe shteti janë varfëruar në masën saqë, askush më nuk mendon për të ardhme të sigurtë dhe perspektivë në këtë shtet.

Kjo është alternativa e vetme „demokratike“ që u është ofruar qytetarëve të Maqedonisë deri më sot, sidomos shqiptarëve, të cilët janë të detyruar dhunshëm të heshtin, të bëhen të dëgjueshëm dhe mjet manipulimi, të shfrytëzuar dhe plaçkitur deri në palcë nga klanet partiake mafioze në pushtet, pa alternativë tjetër për jetë të lirë dhe të dinjitetshme, të qetë dhe të ndershme, ushtrim të profesionit, biznes të lirë e të pavarur, me çka, e vetmja mundësi u ka mbetur të largohen qetë dhe sa më parë nga ky vend i shndërruar në vilajet të errët dhe tokë të mallkuar për bijtë e saj.

SHPËRNDAJE