Abdulla Mehmeti

Siç shihet, Rusia edhe më tej, ndoshta me miratimin e heshtur edhe të BE-së, përmes shteteve satelitë të saj mundohet ta ndajë Ballkanin në dy pjesë, në Ballkanin Lindor, me shtetet sllave-ortodokse, Serbinë, Rumaninë, Bullgarinë dhe Greqinë, në njërën anë, dhe në anën tjetër, Ballkani Perëndimor, me Shqipërinë, Kroacinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Maqedoninë, Kosovën dhe Malin e Zi, shtetet në territoret e dikurshme ilire, të mbetet nën influencën e BE-së, NATO-s dhe SHBA-ve.
Më 1878 u lidh Marrëveshja e Shën Stefanit, mes Rusisë dhe Perandorisë Osmane, e cila rezultoi me pushtimin dhe okupimin e trojeve shqiptare, përmes terrorit dhe shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve nga Krahina e Toplicës, Nishit dhe disa qyteteve të tjera, me mbi 700 katunde shqiptare, si dhe aneksimi i Maqedonisë me gjithë trojet shqiptare nga Bullgaria.
Më 1913 u lidh Marrëveshja e Bukureshtit, për ndarjen e Maqedonisë mes Serbisë, Bullgarisë dhe Greqisë (me përkrahjen dhe ndihmën e Rusisë), si dhe okupimin e disa territoreve shqiptare nga Serbia dhe Mali i Zi.
Më 1992 u lidh Marrëveshja e fshehtë Millosheviq-Micotakis, për ndarjen e Maqedonisë, e cila sapo e kishte shpallur pavarësinë pas shkatërrimit të ish federatës jugosllave, me të cilën, përveç ndarjes synohej edhe tkurrja e trojeve etnike shqiptarëve në rajon, duke e shkëputur vetëm rajonin e Pollogut (Tetovë dhe Gostivar) nga Maqedonia.
Më 2017, po tentohet formimi i një aleance të re strategjike (politike, ekonomike, ndoshta dhe ushtarake), mes Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, si kundëvënie ndaj Projektit të BE-SHBA, të njohur si Ballkani Perëndimor, me Shqipërinë, Kroacinë, Bosnje dhe Hecegovinën, Malin e Zi, Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë?! Pas dy takimeve të mbajtuara në Selanik të Greqisë (më 13 korrik 2017, samiti tripalësh: Serbi, Bullgari dhe Greqi) dhe Varna të Bullgarisë (më 3 tetor 2017, samiti i dytë katërpalësh: Serbi, Bullgari, Rumani dhe Greqi), së shpejti pritet të mbahet edhe një samit në Beograd, i treti me radhë mes këtyre shteteve. Se çfarë do të shpalosë samiti i radhës në Beograd (i cili pritet të mbahet më 8 dhjetor të këtij viti), vetëm mund të supozojmë në këtë fazë të zhvillimit të kësaj ideje.
Me vite të tëra qarkullojnë ide të ndryshme propaganduese nga qarqet e caktuara në këto shteteve, për opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, kinse disa fuqi botërore punojnë me të madhe në krahun e shqiptarëve, për faktorizimin e tyre në Ballkan, me këtë edhe paraqitet rreziku për krijimin e ,,Shqipërisë së madhe”, si një gogol i krijuar nga vetë propaganda e Beogradit dhe aleatët e saj sllavë-ortodoksë, e cila ,,i detyron” këto shtete të lidhin aleancë mes tyre për ta kundërshtuar atë, por pas gjithë kësaj propagande kundër shqiptarëve, në të vërtetë fshihen synimet historike të tyre për t’u reshtuar në krahun e interesave gjeostrategjike ruse në Ballkan, jo se shqiptarët i rrezikojnë shtetet fqinje dhe rajonin.
Në perspektivën e integrimeve rajonale dhe globale, ky projekt i ndarjes së Ballkanit është i destinuar të dështojë, për shkak të Serbisë, e cila mes dy alternativave, më në fund do të përcaktohet për idenë të cilën në kohën e fundit e përhapin me të madhe historianët serbë, se Serbia megjithatë ka një të periudhë të kaluar ,,ilire”, e cila duhet t’ia përcaktojë vendin e saj në Ballkanin Perëndimor, ndoshta edhe nga frika për ndarjen e saj në një të ardhme të afërt, me shkëputjen e krahinave të cilat aktualisht janë nën Serbi: Vojvodina, Sanxhaku, Lugina e Preshevës dhe Timoku.