Deklaratat e ditëve të fundit të Beogradit dhe Shkupit zyrtar kundër idesë për bashkimin e shqiptarëve nuk janë me porosi demokratike, paqesore, humane dhe civilizuese.

Përmes aktrimit dhe vënies së këtyre shteteve në pozitën e viktimës, kinse të kërcënuara nga ideja e udhëheqësve shqiptarë për mundësinë e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të përbashkët, deklaratat e Beogradit dhe Shkupit zyrtar paraqesin kërcënime të hapura kundër shqiptarëve në përgjithësi dhe shqiptarëve në trojet e okupuara nga këto shtete, në veçanti.

Mes tjerash, këto reagime u japin porosi shqiptarëve dhe udhëheqësve evropianë e botërorë se, këto shtete nuk do të lejojnë edhe më tej që shqiptarët të shpëtojnë nga kthetrat e sundimit të tyre, në territoret shqiptare që mbi një shekull i mbajnë nën okupim.

Të gjitha konventat ndërkombëtare ua garantojnë shqiptarëve, si të gjithë popujve të botës, të përpiqen dhe luftojnë për realizimin e të drejtave të tyre të ligjshme, të përfshira në konventat ndërkombëtare, përfshirë edhe të drejtën për vetëvendosje.

E drejta për të jetuar në disa shtete të ndara, apo në një shtet të përbashkët kombëtar, është çështje e brendshme, e drejtë ekskluzive e vetë shqiptarëve, jo edhe e shteteve okupatore që i mbajtë edhe më tej nën sundimin e tyre shumë krahina dhe territore etnike shqiptare, të ndara padrejtësisht nga trungu etnik, në rrethana luftërash e pushtimesh përgjatë historisë.