(Zgjedhjet vendore në Maqedoni, 2017)

Votoni për kandidatët më të mirë sipas bindjes tuaj të lirë, pa imponime, anime dhe interese!

Votoni për ndryshime, në emër të paqes dhe progresit, për hapjen e proceseve të reja për avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe sigurimin e statusit të tyre si popull shtetformues, i cili mund të arrihet më lehtë me gjeneratën e re të politikanëve të pakorruptuar dhe të pakapur nga shteti!

Ndryshimi tanimë ka filluar, me çmontimin e strukturave të vjetra, të inkriminuara në krime e tradhti!

Së bashku do t’i gëzohemi fitores së madhe më 15 tetor, për orientim së mbari, integrime brenda kombëtare, përkrah miqve dhe aleatëve tanë të fuqishëm, në NATO, BE dhe SHBA!

Partitë politike mos i keqpërdorni për interesa personale dhe grupore, por si mekanizma të veprimit politik, në funksion të përbashkimit dhe interesat e të gjithë qytetarëve!

Me këto zgjedhje nuk përfundon as jeta, as vëllazëria e miqësia mes jush, të afërmve tuaj, fqinjëve dhe bashkëvendasve tuaj, prandaj mendoni kthellët, bashkëbisedoni dhe veproni si një trup i përbashkët, pavarësisht nga bindjet dhe interesat tuaja personale!

Të dielën në mbrëmje, të gjithë së bashku duhet të festojmë, jo për fitore, por për nismën e mbarë drejtë fitoreve të reja, më të mëdha dhe më dinjitoze!

Shpresoj të shihemi sy më sy me të gjithë ju, skeptikët që nuk besuan, si dhe ata që besuan dhe besojnë fuqishëm në të ardhmen më të mirë të popullit shqiptar dhe të gjithë qytetarëve në Maqedoni. Pas përfundimit të votimeve, do të bashkëbisedojmë përmes ekranit të Radiotelevizionit shtetëror (RTVM-2), Programi në gjuhën shqipe, nga ora 19:00 e deri sa të bëheni rehat, për hapjen e perspektivës së re për shqiptarët në Maqedoni! Suksese!

(13.10.2017)