Skandali i radhës është zbuluar nga FIFA, ku i përfshirë është “ylli” argjentinas, Lionel Messi, i cili është paguar 200 mijë dollarë për të luajtur një miqësore me Argjentinën.

Pagesa i është dorëzuar Messit, i cili më pas e ka shpërndarë këtë shumë tek pjesa tjetër e lojtarëve të ekipit.

Këtë detaj e ka zbuluar vetë ish-shefi i kompanisë së komunikimeve sportive nga Argjentina, “Torneos y Competencias”, Alejandro Burzaco, i cili ka pohuar ta ketë dorëzuar ai vetë këtë shumë në duart e Messit.

“Po, ai (Messi) dhe të tjerët u paguan në vlerë 200 mijë dollarë për t’u siguruar se ata do të luanin”, është shprehur Burzaco pas hetimit që është bërë nga FIFA lidhur me këtë skandal.

Gjithashtu Burzaco ka përmendur emra të fuqishëm, duke nisur nga Julio Grondona, ish-numri një i futbollit argjentinas dhe ekonomist i FIFA-s, për të cilin ka deklaruar se i kishte paguar në mënyrë të paligjshme rreth 15 milionë dollarë për të drejtat televizive të Botërorëve deri në vitin 2030.

Veç Grondonës, i cili u nda nga jeta në korrik të vitit 2014, ish-shefi ekzekutiv i “Torneos y Competencias” ka folur edhe për përfshirjen e grupeve të mëdha editoriale, si “Globo” apo “Televisa”, që kanë hedhur menjëherë poshtë çdo akuzë. /tch/telegrafi/