Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta ka pritur gjatë ditës së sotme Komisionerin Europian për Migrim, Çështjet e Brendshme e Shtetësi, Dimitris Avramopoulos.

Përmes këtij takimi kreu i shtetit ka vlerësuar nismat e KE për “Forcimin e angazhimit për Sigurinë dhe Migracionin” dhe për “Forcimin e Shtetit Ligjor” si dhe arritjen e marrëveshjes që mundëson operimin e ekipeve të Agjencisë Europiane të Kufirit dhe Rojes Bregdetare (FRONTEX) në Shqipëri.

Gjithashtu Meta ka theksuar me tej nevojën për menaxhimin e migracionit, sigurimin e kufijve dhe luftën kundër krimit të organizuar.

“Bashkëpunimi për menaxhimin e migracionit, sigurimin e kufijve dhe luftën kundër krimit të organizuar, i domosdoshëm. Shqipëria synon të çelë negociatat e anëtarësimit në BE vitin e ardhshëm. Çelja e negociatave, përparësore janë rezultatet konkrete në përmbushjen e reformave kyçe.

Çështjet e shtetit ligjor dhe të së drejtës mbizotërojnë jo vetëm agjendën europiane të Shqipërisë, por edhe aktualitetin në vend. Vlerësoj zhvillimin në Tiranë të Ministerialit për Çështjet e Brendshme dhe Drejtësinë ndërmjet BE dhe Ballkanit Perëndimor.

Ministeriali, një tjetër dritare mundësie që nxit frymën e bashkëpunimit rajonal dhe europian. Falënderoj Komisionerin Avramopoulos për raportin pozitiv të KE që rekomandoi liberalizimin e vizave me Kosovën. Qytetarët e Kosovës meritojnë ta gëzojnë plotësisht liberalizimin e vizave”, është shprehur Presidenti Meta./Gazeta Express/