Qëndrimi i presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov se: “Nuk do të votoj në referendum”, nuk e ka befasuar ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, pasi që sipas tij ai insiston në mosdënim të kriminelëve, transmeton Portalb.mk.

“Nuk mund të them se më ka befasuar, nëse shkojmë në bazë të përgjigjes së tij, për indicet e mëdha për krim serioz dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare nga viti 2015, tentimi i tij ishte abolimi, d.m.th. mosdënimi. Dëgjuam çfarë ka ndodhur, përgjigja në atë zyre ishte mosdënimi”, tha Dimitrov.

Ministri Dimitrov edhe njëherë ka deklaruar se presidenti Ivanov është i detyruar që ta nënshkruajë marrëveshjen Maqedoni – Greqi, sepse, sipas tij, Maqedonia është shtet parlamentar, e jo presidencial.

“Kryetari është i detyruar që ta nënshkruajë marrëveshjen, sepse ne nuk jemi sistem presidencial, por parlamentar. Presidenti nuk ka veto rezolutive, nuk mund të thotë në parlament, pas votimit të parë, se ka të drejtë të anulojë, dhe të thotë unë kam vërejtje, dhe po e kthej sërish te ju”, tha Dimitrov, transmeton Portalb.mk.