Ministritë dhe komunat kanë 2.645 automjete. Ministritë kanë 2.215 vetura në vlerë 27.2 milionë euro, derisa komunat kanë 430 në vlerë prej 5.7 milionë euro.

Këtë e tregojnë të dhënat e Qendrës për komunikim me qytetarët të cilën e publikuan sot.

Në komunikatën thuhet se për 2.008 vetura vlera e furnizimit është 33 milionë euro, derisa për 637 vetura udhëtarësh institucionet nuk kanë dorëzuar të dhëna për vlerën në fjalë.

“Edhe pushteti qendror dhe lokal më së shumti vozisin vetura të tipit ‘shkoda’, ‘folksvagen’ dhe ‘ford’. Megjithatë, të gjitha pesë veturat më të shtrenjta janë ‘mercedes’ të blerë ngë Ministria për Punë të Brendshme (572.780 euro), për Punë të Jashtme (81.301 euro), Financa (76.768 euro) si dhe komunat Sveti Nikollë (77.839 euro) dhe Kavadar (70.075 euro)”, theksojnë nga Qendra për komunikim me qytetarët.

Të dhënat bazë janë siguruar përmes 97 institucioneve. Nga Qendra për komunikimi me qytetarët theksojnë se janë nevojitur më shumë se tre muaj të mblidhen informacionet që siç thonë, “flet për nivelin e ulët të llogaridhënies dhe evidencës së saktë për pronën me të cilën disponohet”.

Kjo bazë e të dhënave, qëndron në komunikatë, është pjesë e dhjetë hulumtimeve të parapara me bazë të të dhënash për shpenzime të parave publike të cilët do të realizohen në kuadër të projektit për shpenzime publike për të mirën publike, mbështetur nga Projekti i USAID-it për pjesëmarrje qytetare.

Qëllimi i projektit të cilin e zbaton QKQ është rritja e efektivitetit të shpenzimit publik përmes uljes së korrupsionit dhe rritjes së transparencës.