Nga Nazmi Sulejmani

Kohët e fundit jemi dëshmitarë i një fenomeni i cili nxit të bëhen disa pyetje për debat të gjerë kombëtar. Pyetja më thelbësore është, a e kanë afruar shumicën e kapacitetit intelektual partitë politike, sidomos ato të rejat të cilat pretendojnë se u themeluan për të bërë reforma thelbësore në shoqëri.
Jemi dëshmitarë që disa “aktivistë”partiakë, madje disa nëndegë e degë vetëm me profile Facebooku, nguten të demantojnë ose anatemojnë çdo emër që përmendet si kandidat I mundshëm për t’i mundur kandidatët e BDI-së.
Pyetja tjetër thelbësore është a duan këto parti të reja t’i mundin kandidatët e BDI-së apo kanë kalkulime të tjera të cilat nuk janë në interes të qytetarëve. Të gjitha faktet, madje edhe numrat tregojnë që qytetarët duan ndryshime.
Shtrihet pyetja, a e kanë për qëllim këto parti të reja ta ndryshojnë qasjen dhe metodologjinë e veprimit ose thjeshtë nëpër to janë implikuar njerëz që përpos aktivitetit partiak nuk kanë asnjë ditë përvojë pune as në institucionet publike, as edhe private. Persona të cilët mundohen me forcë dhe me aktivitete “nëntokësore” t’i mbajnë peng partitë dhe të tërë shoqërinë!
Ka shumë zëra, madje edhe lëvizje konkrete, që shoqëria civile dhe intelegjenca e komunave të ndryshme, do të aktivizohet për t’i dhënë kahje dhe drejtim të duhur. Këto lëvizje duket se i përkrahin edhe anëtarë të partive të ndryshme të cilët nuk pajtohen me sjelljen monopoliste të individëve në partitë përkatëse. Më të zëshëm në këtë drejtim janë në komunën e Gostivarit dhe të Zhelinës. Në komunën e Zhelinës LR-PDSH-ja dhe Besa demamtuan kandidaturën e z. Muahmed Zilbehari. Këto demante kanë nxitur pakënaqësinë e shumë qytetarëve që janë pjesë e partive por edhe ato që partitë nuk i kanë qasur.
Sodoqoftë, duket sikur popullata shqiptare është zgjuar dhe përtej dioptrisë partiake, përtej amblemave dhe ngjyrave kërkojnë oferta cilësore. Nëse partitë nuk i përgjigjen kësaj thirrjeje janë të destinuara për dështim.