Mjekët: Mos na rrisni pagat!

Më shumë se 700 mjekë e infermierë në Kebek të Kanadasë kanë firmosur një letër të hapur, përmes të cilës kundërshtojnë rritjen e rrogave të tyre, me shpresën se kjo lëvizje do të ndihmojë sadopak në zgjidhjen e problemeve buxhetore të sistemit shëndetësor në vend.

Rritja e pagesës së tyre ishte negociuar nga sindikatat e mjekësisë. Por, në letër sqarohet se një lëvizje e tillë konsiderohet tronditëse prej firmëtarëve, të cilët argumentojnë se infermierët, nëpunësit dhe profesionistë të tjerë po përballen me kushte shumë të vështira pune, ndërsa pacientët jetojnë me mungesën e qasjes tek shërbimet e kërkuara për shkak të shkurtimeve drastike të viteve të fundit dhe centralizimit të fuqisë në duart e Ministrisë së Shëndetësisë.

“E vetmja gjë që duket të jetë imune ndaj shkurtimeve është shpërblimi ynë” vazhdon deklarata. Në muajin tetor, shoqata që përfaqëson 9 500 mjekë familjeje të provincës nënshkroi një marrëveshje 8-vjeçare me autoritetet drejtuese të krahinës, e cila parashikonte mesatarisht rritje të pagës së mjekëve me gati 1.8% në vit.

Rritja do t’i shtonte 4 400 dollarë të ardhurave vjetore të një mjeku të përgjithshëm atje, duke e çuar rrogën e tij në 245 000 dollarë kanadeze. Por, ajo do të vazhdojë të jetë 15-20% më e ulët sesa paga që marrin mjekët e familjes në Ontario, krahina më e populluar e Kanadasë.

Vendimi i këtij grupi doktorësh të Kebekut i ka vendosur ata në konflikt me shumë prej kolegëve të vet në provincat e tjera të vendit.

Kebeku ka rreth 20 000 mjekë.

SHPËRNDAJE