Mjekët shqiptarë të Shkupit, heronj të ditëve tona

Mediat dhe institucionet arsimore e kanë për detyrë që këtë kategori të inteligjencës shqiptare këtu ndër ne ta përfshijë më shpesh në programet e tyre, në mënyrë që të rinjtë tanë të braktisin idhujt e rrejshëm të telenovelave dhe t’iu kthehen heronjve të ditëve tona që me shembullin e tyre po dëshmojnë se ia vlen të sakrifikosh për dije e arsimim edhe në këto kohëra të mbushura me përralla të shpifura urbane për “martesa me viza”

Nga Emin AZEMI

Në Klinikat e Shkupit punojnë disa mjekë-specialistë shqiptarë, të cilët janë faqja e bardhë e shqiptarisë. Ata asnjëherë nuk ankohen, por përkundrazi – në heshtje bëjnë punë dhe iu ndihmojnë pacientëve, sidomos atyre në nevojë. Nuk bëjnë dallime. Për ata, pacienti nuk ka kombësi as religjion. Por, gjithsesi, më të kënaqur dalin të jenë pacientët shqiptarë, sepse atyre iu flitet shqip. Specialistët shqiptarë të klinikave të Shkupit janë shumë dinjitoz dhe aspak inferior kundrejt kolegëve të tyre maqedonas, madje edhe kundrejt profesorëve të tyre flokëthinjur. Dinjiteti i tyre burimin e ka në aftësinë dhe përgatitjen profesionale që kanë ata, sepse kot shitesh dinjitoz nëse nuk ke epërsi profesionale ndaj të tjerëve, sidomos ndaj atyre që mundohen të të nënçmojnë. Pacientët e kanë vërejtur këtë dhe zemra mal iu bëhet kur mjekët shqiptarë në klinikat e Shkupit në shumë raste tregohen shumë të shkathët në tejkalimin e komplikimeve shëndetësore që paraqiten jo rrallë edhe si rezultat i terapive apo qasjeve paraprake jo adekuate.
Secili prej tyre i posedon të gjitha virtytet e njeriut human dhe të profesionistit të përkushtuar. Prandaj është koha që në të ardhmen në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë në Shkup të hapet një Katedër me mësim në gjuhën shqipe, ku do të ligjëronin pikërisht specialistët e tanishëm, dija dhe përvoja e të cilëve do të ishte më se e dobishme për studentët. Kjo Katedër do të mund të funksiononte për mrekulli, sepse aktualisht nuk ka gati asnjë fushë të mjekësisë që nuk e ka një specialist shqiptar, i cili njëkohësisht ka edhe titull akademik. Ky numër nuk është edhe i vogël, por i mjaftueshëm për të themeluar programe studimore në gjuhën shqipe.
Në kohën kur lakmia për të siguruar një vizë pune në Gjermani është shndërruar në preokupim
gati sheksprian “të rrosh, apo të mos rrosh”, specialistët shqiptarë të klinikave të Shkupit as që duan t’ia dinë se ku ndodhet Gjermania. Për ata më me rëndësi është puna dhe sakrifica e çdoditshme që bëjnë në shërbim të pacientëve, se sa një mirëqenie pa dinjitet në Gjermani, ku logjika e kapitalit nuk të lejon ta shijosh krenarinë e të qenit vetvetja.
Nëse puna e ndershme dhe e fituar me mund të jep kënaqësi që të bëhesh model edhe për të tjerët, atëherë pa dyshim që një model për lakmi për gjithë shoqërinë ofrojnë pikërisht specialistët shqiptarë të Klinikave të Shkupit. Mediat dhe institucionet arsimore e kanë për detyrë që këtë kategori të inteligjencës shqiptare këtu ndër ne ta përfshijë më shpesh në programet e tyre, në mënyrë që të rinjtë tanë të braktisin idhujt e rrejshëm të telenovelave dhe t’iu kthehen heronjve të ditëve tona që me shembullin e tyre po dëshmojnë se ia vlen të sakrifikosh për dije e arsimim edhe në këto kohëra të mbushura me përralla të shpifura urbane për “martesa me viza”. (koha.mk)

SHPËRNDAJE