Komisioni Evropian ka publikuar Raportin më të ri të Progresit si pjesë e paketës vjetore të zgjerimit, ku prezantohen përparimet dhe ngecjet e vende të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, zyrtarët e lartë të BE-së thanë se Serbia dhe Mali i Zi kanë bërë disa përparime dhe po vazhdojnë negociatat në procesin e përafrimit me BE-në, ndërkohë që është lansuar hapja e negociatave edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë, kurse Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë në rrugën e përmbushjes së kritereve evropiane para se të mund të llogarisin në negociatat e anëtarësimit.

Reformat në sundimin e ligjit, ekonomia e lirë e tregut, respektimi i lirive njerëzore deri te harmonizimi i legjislacionit me atë të BE-së, mbeten parakushtet që vendet ballkanike duhet t’i plotësojnë në rrugën e tyre integruese.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini tha se me strategjinë e re të BE-së për Ballkanin Perëndimor është rikonfirmuar e ardhmja evropiane e këtij rajoni.

“Ballkani Perëndimor është Evropë dhe do të jetë në të ardhmen pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Mogherini.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit, dy prej tyre, Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë përparime. Kurse nga sot, u hapën negociatat e përafrimit edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Kurse me Kosovën, Mogherini tha se po vazhdohet zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe zbatimi i marrëveshjeve në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, si rrugë që duhet të ndiqet drejt integrimin në BE.

Ajo e vlerësoi si lajm të mirë fillimin e punëve në Prishtinë sa i përket draftimit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ka marrëveshje që duhet të zbatohen si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi”, tha Mogherini, duke insistuar që marrëveshjet e arritura në dialog, duhet të zbatohen.

Ndërkaq, Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn tha se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta kuptojnë se nuk ka rrugë të shkurtër drejt BE-së dhe se i gjithë procesi bazohet në merita dhe të arritura. Sipas tij, përparimi i shteteve veç e veç, pastaj shpërblehet dhe se përparimet janë individuale dhe nuk mund të përfitojë një vend nga përparimi i një vendi tjetër.

Ai tha po ashtu se në Samitin e ardhshëm të Sofjes, Bashkimi Evropian dhe vendet e Ballkanit do ta kenë mundësinë të diskutojnë për bashkëpunimin reciprok në të gjitha fushat.

Një shqetësim tjetër i BE-së, nënvizoi Hahn, është papunësia te të rinjtë, çka sipas tij, mund të çojë në radikalizëm, çka rrezikon edhe sigurinë që përbën një shqetësim të veçantë.

“Çdo vit në pranverë do të kemi një raport të stabilitetit dhe Komisioni Evropian e ka marrë parasysh përparimin e bërë nga Maqedonia dhe Shqipëria dhe ka rekomanduar për hapjen e negociatave për përafrim BE-në”, tha Hahn.

“Duhet mbajtur ky momentum i reformave kur bëhet fjala për Shqipërinë, si reformat në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe mbrojtja e minoriteteve”, tha Hahn.

Presidenti i Kosovës, përmes një shkrimi profilin e tij në facebook ka shkruar se tani pa humbur kohë, të gjitha institucionet duhet të reflektojnë për përmbajtjen dhe të gjeturat e raportit, në mënyrë që të adresohen problemet dhe sfidat e evidentuara.

“E përshëndes faktin që ky raport ka reflektuar pozitivisht rreth procesit të përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave. Prandaj, e konsideroj çështje urgjente që ky proces të mbyllet sa më shpejt nga ana e BE-së, sepse qytetarët e Kosovës janë lodhur nga raportet e shumta. Tani është momenti për diçka konkrete. Liberalizimi i vizave duhet të ndodhë pa humbur kohë”, ka shkruar Thaçi.

Në Raportin më të ri të Progresit, Komisioni Evropian ka evidentuar shumë gjetje dhe sfida për institucionet e Kosovës. Ngecjet në reforma si dhe përpjekjet për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, janë evidentuar si pikat kritike dhe lëshimet e institucioneve të Kosovës në rrugën evropiane.

Po ashtu, edhe fshehja e financave nga partitë politike dhe gjyqësori i ngathët, përbëjnë lëshime që Kosova duhet t’i adresojë si një vend që mëton krijimin e standardeve evropiane.

Sidoqoftë, për Bashkimin Evropian, të paktën sipas raportit më të ri për Kosovën, mbetet shqetësues fakti se në Kosovë vazhdon politizimi i administratës publike, ka mungesë të përparimit në ruajtjen e mjedisit, vazhdon një gjendje jo e mirë në arsim, papunësia vazhdon të rritet, kurse korrupsioni, me gjithë përpjekjet e treguara, vazhdon të mbetet problemi më i madh që sfidon të ardhmen e Kosovës dhe perspektivën e saj evropiane.