Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Federica Mogherini, është pritur në takim sot pasdite nga kryeparlamentari Ilir Meta në Kryesinë e Kuvendit.

Më pas, Mogherini iu drejtua Parlamentit ku mbajti një fjalim duke theksuar rëndësinë e reformës në drejtësi për hapjen e negociatave.

Shefja e BE-së, deklaroi se ju duhet të gjeni vendin tuaj në Bashkimin Evropian.

“Si ministre e Italisë por edhe si Përfaqësuese e Lartë e BE, kam patur ndjesinë që kjo është në interesin tuaj dhe në interesin tonë . Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë në BE”, deklaroi Mogherini.

Ajo nënvizoi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëhen bashkë për të ecur përpara.

“Rrugëtimi europian nuk ka të bëjë me formula të gatshme. Unë dëshiroj të flas për këtë gjë, të cilën ne mund dhe duhet ta bëjmë së bashku. Ka shumë sfida që ne ndajmë si europianë, por askush nuk i ka përgjigjet e duhura. Nuk kemi mësues apo nxënës. Ne duhet që së bashku të punojnë për përgjigje të përbashkëta, si siguria, radikalizimi, migrimi, shpëtimi i jetëve të refugjatëve, punësimi, rritja ekonomike, e tashmja dhe e ardhmja”, deklaroi Mogherini.

Duke vënë në dukje se të gjithë gjendemi në të njëjtën varkë, zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, nënvizoi se “së bashku mund të gjejmë zgjidhje. Sfidat që po kalon ky rajon e tregon. Se ne duhet të jemi së bashku në këtë sfidë. Vetëm duke qenë së bashku mund të japim rezultate”.