Arben Taravari

Politika nuk është biznes, politika nuk duhet të jetë as tokë që duhet të vriten për t’i marr tapinë.
Politika nuk duhet të jetë një rrjet i komplikuar neuronesh multipolare dhe as një llogari bankare që është fryrë me paratë e padhëna atij që nuk blen dot bukë për fëmijët e vet.

Cila është politika ime? Harmonia juaj!
Plaku të jetë në gjëndje që me paratë e pensionit të mund të ruaj dinjitet para nipit dhe t’i blejë një dhuratë për ditëlindje, që gruaja të mos mbetet peng e një mentaliteti kanunor, që burri kur të vij në shtëpi, të sjellë me vete edhe sedrën, të cilën sot për fat të keq e lë zyrave ku e kanë punësuar por e kanë blerë përgjithnjë! Politika për mua është pikërisht liria dhe morali, të futur në një zarf.

Sot njerëzit po blehen me gjithë shtëpi për një vend pune, dhe unë i kuptoj ata, Mahtma Gandi ka thënë që: për atë që s’ka bukë, Zoti i vetëm që njeh kthehet buka-po a nuk është e mjerueshme të kesh Zotër që ti imponon varfëria ekstreme?

Dua nëse kjo quhet politikë, që të punoj me sa më shumë djem e vajza të reja, me ata që sot dergjen kafeneve të errëta të qyteteve të mia, t’iu them se ata janë të aftë, se janë shpresa e kombit tonë. Dua që vendi ynë të kthehet në vend qetësie. Në një vend ku çdo shqiptar të ndjehet krenar që është i tillë. Dua që familjet e reja shqiptare, Amerikën dhe Europën t’i shikojnë si alternativa pushimi, dhe jo si zgjidhje të imponuara për jetesë përfundimtare. Dua që nesër biri im të jetë krenar nga ato që unë u përpoqa të bëj. Dua që të luaj shah me shokët e mi jo se nuk kemi si e kalojmë mërzinë po sepse kemi qejf ta luajmë!
Politika ime është që kur të trokas nesër në zyra apo insitucione, të flas shqip se jam në tokën time këtu e mijëra vjet. Dua që të bëj atë politikë që më në fund partitë shqiptare mos të rrinë duke nxituar kush të nxijë më shumë tjetrën, por të kujtohen se kombi është mbi çdo interes, se kombi është plan programi politik, dhe në thelb duhet të jemi të gjithë të njëjtë!

Dua që të shoh ditën ku liderët shqiptarë do të debatojnë si zotërinj të një gjaku, fisnikë të një origjine, dhe në fund secili do të bëj më të mirën për popullin.
Dua të bëj atë politikë që nëna ime të më thotë -bir bëre më të mirën! Dhe të ketë në krah me qindra, me mijêra nëna, të lumtura me në fund.
Do doja që të paktën vetëm një herë politikanët mos barazoheshin me defiçentë që simbolizojnë mafiën dhe kusarin.

Do doja që aty në spitalin ku punoj radhët të ishin sa më të vogla, madje mos kishte fare radhë, sepse politikat e drejta shëndetsore do kishin rritur ndjeshëm kujdesin ndaj pacientit.
Do bëja atë lloj politike prej të cilës do merrja e-mail nga studentët e mi që më përshëndesnin nga shkollat më lukzose të botës, sepse praktikat inteligjente arsimore do e jepnin këtë mundësi.

Ju do mendoni se jam utopist, se jetoj me ëndrra, por sipas George Orwell ka dy lloj politikanësh: ata që janë utopikë, idealistë, me mendjen në ajër (nëse do bëja një përkthim me pak përshtatje), dhe të tjerët janë ata me këmbë në tokë, por ama i kanë të zhytura në lloç!

Preferoj më mirë të jem idealist se sa i futur baltrave.
Nëse kjo që përmenda nuk është politikë, nuk dua të jem më politikan.
E Zoti ua bëftë rrugën më të lehtë të gjithë atyre që bëjnë politikë të drejtë.