Shumë shkolla fillore dhe të mesme të Shkupit vazhdojnë të zhvillojnë procesin arsimor nëpër hapësira të pa dezinfektuara. Në shkollën fillore “26 korriku” në Shuto Orizarë, e cila numëron mbi 2100 nxënës ekipet e dezinfektimit ende nuk kanë mbërritur, pavarësisht se kërkesa është bërë me kohë. Drejtori I kësaj shkolle kritikon autoritete shëndetësore, duke thënë se janë vonuar shumë për kryerjen e këtij procesi.

 

“Dezinfektimi është dashur të bëhet përpara se të përhapej gripi. Sikur të bëhej një gjë e tillë që atëherë nuk do vinte deri në përhapjen kaq të madhe të gripit, do kishte ndaluar numrin e të prekurve nga gripi. Në shkollën tonë numri i nxënësve me grip ka qenë 200-300, sikur më herët të dezinfektohej ky numër do ishte rreth 50-80. Faktikisht pengohej edhe zhvillimi I procesit mësimor”, tha Halit Sejdiu, Drejtor i Sh.F. “26 korriku” Shkup

Nga Qendra për Shëndet Publik thonë se në këtë shkollë procesi I dezinfektimit do të kryhet gjatë ditës së nesërme.

“Për momentin jemi duke punuar në shkollat të cilat gravitojnë në komunën e Çairit dhe Çucer Sandevës. Gjatë ditës së nesërme, pas mbarimit të orarit mësimor planifikojmë të bëjmë dezinfektimin në shkollën “26 korriku” në Shuto Orizarë. Dinamika e punës varet edhe nga kushtet klimatike pasi në shkollat që janë nëpër vende më të largëta dhe të pa pastruara nga bora, na duhet më shumë kohë derisa depërtojmë”, njoftojnë nga Qendra për Shëndet Publik.

Si pasojë e mos dezinfektimit rrezikohet përhapja e gripit, infektimeve të ndryshme dhe paraqitja e ndonjë epidemie. Nga Qendra për Shëndet Publik në Shkup thonë se ky proces higjienik pritet të përfundojë deri të premten. Vendimi për kryerjen e dezinfektimit nëpër çerdhe, shkolla dhe spitale u miratua gjatë fillimit të vitit të ri, si masë për parandalimin e gripit. Por pavarësisht se ky proces duhej të kryhet para se të nisë gjysmë vjetori i dytë shkollor, ai ende nuk është zbatuar tërësisht.

ALSAT-M