Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, ka mohuar akuzat për mashtrim me taksa duke thënë se nuk ka marrë asnjë thirrje nga autoritetet spanjolle.

Sot gjatë ditës u raportua se Mourinho është duke u akuzuar për mashtrim me taksa gjatë kohës së tij te Reali, pasi thuhet se ka fshehur 3.3 milionë euro ndaj autoriteteve gjatë viteve 2011-12.

“Jose Mourinho s’ka marrë asnjë njoftim lidhur me lajmet e publikuara të martën. Deri tani, as autoritetet e taksave në Spanjë, as prokurori publik nuk e ka kontaktuar Jose Mourinhon apo përfaqësuesit e tij”, thuhet në njoftimin e agjentit të trajnerit.

Mourinho thotë se ka paguar gjithmonë taksat me rregull dhe ka pasur marrëveshje me autoritetet spanjolle. Po ashtu shton se qeveria spanjolle i kishte thënë se gjithçka ishte në rregull me obligimet e tij, kur ishte larguar nga Spanja në drejtim të Anglisë.