Ministria e Brendshme e Çekisë ka propozuar ndryshime kushtetuese, me të cilat qytetarëve çekë do t’iu sigurohej e drejta që të përdorin armët dhe të hapin zjarr në drejtim të terroristëve.

Ministri i Brendshëm i Çekisë, Milan Chovanec, deklaroi se në kohën kur në shtetet tjera të Evropës po ndodhin sulme, ai është i mendimit se qytetarëve me kushtetutë duhet t’iu ofrohen të drejta më të mëdha për t’u mbrojtur, por me armë të siguruara në mënyrë të ligjshme, shkruan rtv21.tv.

Çekia nuk po pajtohet me përpjekjet e Bashkimit Evropian që të kufizoi mundësinë ligjore për mbajtjen e disa llojeve të caktuara të armëve, ndërsa ministria e Brendshme propozoi që çekëve, të cilat posedojnë armë në mënyrë të ligjshme, t’iu mundësohet që ato t’i përdorin me vetë-iniciativë.

Siç u theksua, është kërkuar miratimi i armatimit të qytetarëve me qëllim të mbrojtjes së Çekisë, me synimin që të parandalohen sulmet terroriste si ato në Paris, Nicë apo Berlin.

Megjithatë, Chovanec bëri të qartë se ligji nuk parasheh që me armë të furnizohen të gjithë ata, të cilët bëjnë kërkesë për të blerë ato dhe shtoi se kontrolli për të siguruar lejen për armë do të jetë më i ashpër se asnjëherë më parë.