Cigaret më të lira në Evropë mund të blihen në Kazakistan, ku një pako “Marlboro” kushton vetëm 1 euro. Edhe cigaret e tjera, si “Camel”, “Pall Mall”, “Winston”, “Lucky Strike”, “Princ” dhe “Chesterfield” janë afërsisht me çmime të njëjta si “Marlborot”. Nga ana tjetër cigaret më të shtrenjta në vitin 2016 janë shitur në Norvegji, ku një pako “Marlboro” ose “Camel” kushton 13.3 euro. Kështu shkruan portali “Cigaretteprices”, duke hulumtuar tregun e duhanit në shumicën e vendeve të botës. Shtetet e Evropës lindore, si Armenia, Gruzia, Kazakistnai dhe Moldova kanë koston më të lirë të Marlboros me afër një euro për pako, ndërsa shteti me çmimin më të lartë të markës më të njohur botërore të cigareve është Norvegjia. Më pas vjen, transmeton gazeta KOHA, renditet Irlanda me 9.6 euro, në Britani të Madhe kostoja është 9.7 euro, pason Lihtenshtajni me 7.4 euro, ndërsa në Francë dhe Zvicër një pako cigare kushton 7.3 euro. Ndërkohë, Maqedonia me çmimin prej 2.6 euro për një pako “Marlboro” renditet ndër shtetet më të shtrenjta në raport me shtetet fqinje por edhe në mesin e listës evropiane sa u përket çmimeve të cigareve. Një pako “Marlboro” në Shqipëri mund të blihet për 1.4 euro, në Serbi për 1.8 euro dhe në Bosnje e Hercegovinë për 2 euro. Çmimet te ne janë të përafërta me Malin e Zi me 2.5 euro, Bullgarinë me 2.9 euro dhe Kroacinë me 3.3 euro. Megjithatë, rritja e vazhdueshme e çmimeve dhe ndalimi i pirjes së duhanit në ambientet e brendshme të lokaleve ka ndikuar në reduktimin e konsumit jo vetëm në Maqedoni dhe shtetet e rajonit, por edhe në një pjesë të madhe të shteteve evropiane. Konsumi i cigareve në Maqedoni në katërt vitet e fundit shënon ulje të vazhdueshme prej 2-4 për qind, ndërsa në Evropë shënohet ulje prej 2-6 për qind në 15 vitet e fundit. Sipas disa vlerësimeve, në Maqedoni 40 për qind e popullatës pinë duhan, ndërsa në vit harxhohen afër 90 milionë euro për cigare. Në Bosnje e Hercegovinë madje në vitin 2016 është përgjysmuar tregu i duhanit në raport me vitin 2008 si rrjedhojë e uljes së fuqisë blerëse, zëvendësimit të cigareve me duhanin ilegal dhe migrimin e konsumatorëve në tregun jolegal të cigareve. Rritje të tregut ilegal shënohet edhe në Francë, ku në vitin 2013 ajo ka qenë e 25 për qind e shitjes së përgjithshme në raport me 22 për qind në vitin 2012, që do të thotë se çdo e katërta cigare në Francë në vitin 2013 ka qenë e blerë në tregun e zi. Një trend i tillë ka vazhduar edhe në vitin 2014. Nga ana tjetër edhe në Francë numri i cigareve të shitura tregon trende të uljes nga viti në vit. Në vitin 1993 me një çmim mesatar prej dy euro për kuti në Francë janë shitur 93,6 miliardë cigare. Në vitin 200 çmimi për kuti ka qenë 3.2 euro , ndërsa janë shitur 82.5 miliardë cigare. Në vitin 2010, një kuti cigare ka kushtuar pesë euro në mesatare, ndërsa shitja është përgjysmuar në 54.8 miliardë cigare. Në ndërkohë, statistikat tregojnë se madje 80 për qind e duhanpirësve jetojnë në vende me të ardhura të mesme ose të ulëta. Të gjitha cigaret që janë konsumuar për vitin 2011 në botë , mendohet t’u kenë kushtuar njerëzve 8.37 miliardë dollarë. Përllogaritet se 19 për qind e të gjithë të rriturve konsumojnë duhan, ndërkohë që 21.6 për qind e të gjithë meshkujve dhe 16.5 për qind e femrave pinë cigare. Nga ana tjetër, 69 për qind e konsumuesve të duhanit duan të heqin përfundimisht dorë prej tij. Gjithashtu çdo ditë, rreth 4000 persona që nuk kanë mbushur akoma 18 vjeç, provojnë cigaren e tyre të parë. Po ashtu çdo ditë, 1000 të rinj poshtë moshës 18 vjeç bëhen duhanpirës të rregullt.

ÇMIMI I MARLBOROS VITIN E KALUAR

Maqedoni – 2.6 euro

Shqipëri – 1.4 euro

Rusi – 1.5 euro

BeH – 2 euro

Bullgaria – 2.9 euro

Slloveni – 3.1 euro

Turqi – 3.9 euro

Greqi – 4.6 euro

Austri – 5.5 euro

Itali – 5.7 euro

Gjermani – 6.1 euro

Belgjikë – 6.2 euro

Danimarkë – 6.1 euro

Francë – 7.3 euro

Irlandë – 9.7 euro

Norvegji – 13.3 euro