Gjermania do të gjobisë Facebook me 500.000 euro për çdo postim që përmban lajme apo informacione jo të vërteta. Prej kohësh Facebook është rrethuar nga skandali i përhapjes së lajmeve të rreme dhe gjermanët kanë vendosur t’i kundërpërgjigjen kësaj situate. Në rradhët e tyre ekziston frika se zgjedhjet e vendit do të ndikohen nga lajme të rreme, ashtu siç mendohet se kanë ndikuar edhe mbi zgjedhjet presidenciale amerikane.

Berlin- Gjermania ka kërcënuar të zgjidhë skandalin e lajmeve të rreme që ka përfshirë Facebook prej kohësh, me anë të gjobave të majme, në rast se postime të konsideruara si keqinformuese, nuk hiqen menjëherë nga faqja.

Politikanët gjermanë, të frikësuar se zgjedhjet e ardhshme të vendit mund të ndikohen, kanë propozuar gjoba deri në 500.000 euro për çdo postim që përmban lajme jo të vërteta apo një gjuhë urrejtjeje. Një postim i tillë do të gjobitet gjithashtu nëse nuk fshihet brenda një afati kohor prej 24 orësh.

Propozimet janë pjesë e përgjigjes kundrejt shqetësimeve gjithnjë në rritje se mashtrimet online mund të ndikojnë zgjedhjet e Bundestagut, ashtu siç mendohet të kenë ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Vetë Facebook deklaroi para pak kohësh se do të prezantonte mjete të reja për të parandaluar përhapjen e lajmeve jo të vërteta në platormën e vetë.

Me këto ndryshime, do të jetë më e lehtë që përdoruesit të denoncojnë histori që ata mendojnë se nuk janë të vërteta, të cilat më pas do të kontrollohen nga vetë kompania. Ndërkohë, histori të diskutueshme do të shfaqen shumë poshtë në faqen e parë të përdoruesve dhe sapo ato të denoncohen nga të tjerët, nuk do të mund të promovohen më as me pagesë.

Facebook dhe Google kanë premtuar se do të punojnë për ndalimin e reklamimit dhe qarkullimit të historive të rreme nga shërbimet e tyre. Në tetor të vitit të kaluar, Google informoi se do të fillonte të kontrollonte online faktet për lajme ose histori të caktuara.