Agjencia e Lajmeve Zhurnal jozyrtarisht nga burime partiake mëson se në Strugë janë shitur letërnjoftime për votimet e 15 Tetorit, priten arrestime në Strugë.

Po sigurohen prova të mjaftueshme dhe dëshmitarë që do të faktojnë blerjen masive të letërnjoftimeve dhe pasaportave tek rreth 3 mijë votues, me qëllim që këto të fundit të mos dalin në votime më 15 Tetor në Strugë. 

Blerjet janë bërë nga ana e një partie politike në Strugë, gjegjësisht nga persona të afërt me njërin prej kandidatëve.

Sipas burimeve të Agjencisë Zhurnal, ka materiale në formë të inçizimeve dhe fotografi nga momentet e kryerjes së këtyre veprave të dënueshme me ligj. 

Ndërsa nga burime brenda MPB-së tregojnë se priten arrestime para rrethit të dytë të zgjedhjeve në Strugë. 

Të dyshuar janë disa persona në cilësinë e blerësit të letërnjftimeve dhe mbi 20  shitës të tyre apo pronarë të letërnjoftimeve. Personat e dyshuar janë të të dy etnive më të mëdha në Strugë.

Për të gjitha këto raste janë të njoftuar edhe përfaqësuesit e huaj dhe zyra e OSBE-së në Shkup, të cilët janë prezent për çdo ditë në Strugë.

Blerja dhe shitja e votës është vepër penale e dënueshme me burg./Zhurnal/