Shkruan Ylber Ndrecaj

Si familjarë asnjëherë nuk kemi besuar se një ditë, një deputete shqiptare, në mes të Parlamentit të Kosovës do të dalë dhe do të mbajë fjalim kundër djemve të vrarë dhe të arrestuar në Lagjen e Trimave në Kumanovë.
A ka paradoks më të madh. Djemtë më të mirë të Kosovës, që i dhan grusht të fuqishëm Rusisë e Serbisë, duke zbrapsur projektet e tyre kundër vëllezërve tanë shqiptarë në Maqedoni, sot po nënçmohen e ofendohen nga një deputete në Parlamentin e Kosovës.
Nëse djemtë e vëllezërit tanë u vranë në vitin 2015 në Kumanovë nga plumbat e Nikolla Gruevskit e Ali Ahmetit, sot ata po vriten për herë të dytë nga fjalët e ndyra të Hikmete Bajramit.
Sot po hapet sërish varra ende e pambyllur në shpirtin tonë, që nga tradhtia e 9 e 10 majit. Sot po kthehen lotët në sytë e jetimëve të dëshmorëve të Kumanovës. Sot po kthehen lotët në sytë e fëmijëve të mbetur jetimë edhe pse prindërit i kanë gjallë, por të mbyllur në kazamatet sllave, dënuar me dënime drakonike.
Nuk e di se për çfarë interesi dhe sa para ka fituar Hikmete Bajrami për të mbajtur këtë fjalim në Parlamentin e Kosovës, por jam i sigurt se është paguar nga fonde serbe e sllavo-ruse. Prandaj as nuk insistoj që Hikmete Bajrami të kërkojë falje për fjalët që i ka thënë, e as që pres se ajo do ta bëjë një gjë të tillë.
Mirëpo kërkoj që LDK nëse ende është parti serioze, të dalë dhe të distancohet nga fjalimi i deputetes së tyre. Përndryshe turpi nuk do t’i mbetet vetëm Hikmete Bajramit por gjithë partisë. Nuk do të ishte keq që edhe Parlamenti i Kosovës me një akt të veçantë zyrtar të distancohet nga ky fjalim skandaloz dhe të tregojë që respekton figurat e ndritura të luftëtarëve të UÇK-së.