Hazis Jella, drejtori i spitalit të Bulqizës, ka bërë të ditur se 30-vjeçarja Enkelejda Rexhepi ka ardhur me dhimbje dhe ishte 24-javëshe shtatzënë.
“Gruaja erdhi me dhimbje, ishte 24 javëshe shtatzënë. Gjendja e foshnjeve ishte e papajtueshme për jetën. Ndaj të gjendur në këtë situatë, detyra jonë ishte që t’i shpëtonim jetën gruas. Kemi mami dhe infermiere por rasti ishte me rrezik.

Thirrëm me urgjencë mjekë nga Tirana, të cilët erdhën nga “Mbretëresha Geraldinë”.

Dy nga foshnjat vdiqën pasi ishin në pozicion të keq”.

Gazeta Shqiptare mëson se gruaja kishte qenë duke punuar punë të rënda në fshatin e saj në Ostren të Bulqizës dhe dyshohet se kjo ka ndërlikuar gjendjen e saj shëndetësore, duke pasur dhe një barrë trinjake.

Ndërkaq, lidhur me këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në Bulqizë ka reguar edhe Ministria e Shëndetësisë. Sipas MSH, për shkak të moshës së vogël të barrës (24 javë është e papajtueshme me jetën), trenjakët nuk kanë mundur të mbijetojnë, ndërsa nëna tashmë është jashtë rrezikut për jetën dhe në këto momente është nën kujdesin e mjekëve.

“Lidhur me ngjarjen e ndodhur në spitalin e Bulqizës, sqarojmë opinionin publik si më poshtë:

Nëna me inicialet E.R. 31 vjeç është paraqitur në spitalin e Bulqizës në orën 12:00 të ditës së sotme.

Nëna e re është asistuar për lindjen e trenjakëve me moshë barre të parakohëshme 24 javëshe.

31-vjeçarja është asistuar për lindjen e fëmijës së parë nga mjeku i përgjithshëm Fatos Hoxha dhe dy mami të maternitetit të Bulqizës.

Për shkak të komplikacioneve, menjëherë është njoftuar ekipi i urgjencës kombëtare mjekësore dhe është nisur nga Tirana një ekip i specializuar nga Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” me helikopterin e Urgjencës Kombëtare.

Brenda 20 minutash, helikopteri me ekipin e specializuar nga Tirana ka mbërritur në spitalin e Bulqizës. Mjekët e specializuar të maternitetit të Tiranës kanë asistuar dy lindjet e tjera dhe kanë shpëtuar nënën e re, e cila rrezikonte jetën.

Për shkak të moshës së vogël të barrës (24 javë është e papajtueshme me jetën), trenjakët nuk kanë mundur të mbijetojnë, ndërsa nëna tashmë është jashtë rrezikut për jetën dhe në këto momente është nën kujdesin e mjekëve”, ka deklaruar Ministria e Shëndetësisë.