Arrestimet e para për Gjykatën Speciale pritet të qojnë pluhur në Kosovës, pasi sipas informative dhe raportimeve në media mund të arrestohen ish-krerët e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekatarina Trendafilova, ka deklaruar se tani më pritet të bëhen arrestimet e para të të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, ndërsa sipas saj, arrestimet do të bëhen nga Policia e Kosovës e jo nga EULEX-i.

Lajmi.net dje (e enjte) ka kontaktuar me zëdhënësin e policisë, Daut Hoxhën, i cili tha se policia është gati të kryej arrestime që do t’i kërkohen për Gjykatën Speciale.

Se a mund të ketë trazira në Kosovë ndaj arrestimeve që do të bëjë Gjykata Speciale, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Ngucati, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se nëse preken krerët e UÇK mund të ndodh më e keqja.

“S’mendoj se do të ketë trazira, por frikësohem se do të ketë arrestime të krerëve të UÇK-së. Tek e fundit deputetë e kanë ngritur dorën vetë dhe e kanë votuar Gjykatën Speciale. Votimi i Gjykatës Speciale ka qenë turp i madh, është gjykatë e njëanshme dhe nuk ka ndodhur askund në botë një gjë e tillë siç ka ndodhur me Kosovës. Prandaj, unë them se nëse arrestohen krerët e UÇK-së kam frikë se do të eskalojë situata dhe do të trazira në Kosovë”, ka thënë ai.

Tutje, Ngucati tha, se janë të gatshëm edhe të protestojnë për t’i mbrojtur të drejtat e UÇK-së.

“Unë si kryetar i veteranëve nuk e preferoj rrugën, por nëse na imponohet do të protestojmë dhe do të dalim në rrugë për t’i mbrojtur të drejtat tona”, deklaroi kryetari i veteranëve.

Lufta e UÇK-së ka dal e pastër, deklaroi Ngucati, i cili tha se kjo është dëshmuar nga Haga me Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limën dhe së fundi edhe me Sami Lushtakun, mirëpo thotë se të gjitha këto janë fabrikime të Serbisë me disa shqipfolës të Kosovës.