Neymar dhe prindërit e tij do të gjykohen mbi akuzat për mashtrim dhe korrupsion. Veç kësaj, presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu dhe paraardhësi i tij, Sandro Rosell, do të dalin para gjyqit për mashtrim dhe korrupsion për transferimin e brazilianit nga Santosi në vitin 2013. Të dyja klubet në fjalë janë urdhëruar të marrin pjesë në seancën gjyqësore, edhe pse të gjitha palët mohojnë të kenë kryer ndonjë shkelje.

Prokurorët spanjollë kanë kërkuar që Neymarit t’i jepet një dënim me dy vite burgim dhe një gjobë prej 10 milionë eurosh. Por, duke ditur Kodin Penal spanjoll, dënimet me dy vite burgim apo më pak sesa kaq pezullohen për shkelësit për herë të parë në Spanjë. Gjithsesi, Neymar mund t’i ndalohet të luajë futboll gjatë seancave gjyqësore apo pas dënimit nëse ndodh.

Mbërritja e tij në Katalunjë nga Santosi ka rezultuar një sukses i jashtëzakonshëm për kampionët e Spanjës në fushat e lojës, por edhe një makth juridik jashtë fushave. Sulmuesi 25-vjeçar po hetohet në Brazil dhe në Spanjë pikërisht për transferimin e tij në La Liga.

Çështja gjyqësore nisi me ankesën e një kompanie braziliane investimesh, “DIS”, që zotëronte 40 për qind të të drejtave sportive të Neymarit në momentin e transferimit. “DIS” mori 6.8 milionë euro (40% e shumës prej 17 milionë eurosh që iu paguan Santosit), por kompania pretendon se asaj i është mohuar pjesa e saj reale e transferimit, që u fsheh nga Barcelona, Santosi dhe familja e Neymar.

Gjykata kombëtare e Spanjës dyshon se Santosit iu paguan 25 milionë euro, që nënkupton se “DIS” iu mohuan 3.5 milionë euro të tjera. Barcelona e publikoi fillimisht shifrën e transferimit në 57.1 milionë euro, nga të cilat 40 mln euro iu dhanë familjarëve të tij dhe pjesa tjetër Santosit.

“DIS” nga ana e saj ka kërkuar një dënim 5-vjeçar për Neymar dhe prindërit e tij, të cilët kanë vepruar si përfaqësues të lojtarit, ndërsa për Rosell dhe Bartomeu një dënim me 8 vite heqje lirie, shto këtu edhe një gjobë prej 195 milionë euro për Barçën.

Në korrik të vitit 2016, një gjykatë vendosi se ishin kapur parregullsi në transferimin e tij, por shtoi se çështja i përkiste një gjykate civile dhe jo gjykate penale, për ta zgjidhur. Gjithsesi, prokurorët kanë arritur të argumentojnë me sukses se lojtari dhe babai i tij kanë qenë në dijeni të marrëveshjeve potencialisht mashtruese mes Barcelonës dhe Santosit, në dëm të “DIS” për ta përmbysur plotësisht atë vendim.

Vendimi për ta urdhëruar Neymarin për t’u paraqitur në gjyq është një tjetër goditje për imazhin e tij si lojtar, por edhe për gjigantët spanjollë nga Katalunja.