Nga Ismet Miftari

Artikull i shkruar ketu e 25 vite me pare, dhe i derguar ne redaksine e ” Flaka e vellazerimit” per botim, por i cili per shkaqe cilesie apo diçka tjeter nuk u botua. Qellimi ishte ndarje dhembjes me opinionin e gjere, aq me teper me familjaret qe kishi humbur te afermit e tyre. Me pat mbetur peng qe nuk u botua, por dhe me teper qe kopjen e artikullit asesi ta gjeja. Dhe per çudi mu ne kete 25 vjetor, deri sa kerkoja krejt diçka tjeter, ai me çfaqet dhe me ngjalle pikellimin e dikurshim. Pa korrigjime dhe permiresime te njejtin po e publikoj.

DUKE E PRITUR ARKIVOLIN
Mëngjesi i së dielës së këtij nëntori gdhiu i zymtë për të gjithë shqiptarët anekënd botës. Lajmi i hidhur për rrëzimin e aeroplanit që fluturonte në linjën Gjenevë-Ohër vërshoi globin tokësor.
Nga Zvicra vjen lajmi se me këtë aeroplan është nisur për vendlindje edhe vëllai e bashkëfhsatari ynë Suat Saqipi. Vdekje kolektive. Njerëzit, familja stepen. Mblidhen të afërmit. Gjëma te gratë veçse ka filluar. Ende paqartësi. Ndoshta nuk ka qenë në këtë aeroplan pandehnin njerëzit. Ka qenë turist, mos vallë e ka ndalë policia zvicerane në të hyrë në aeroplan. Duhet të ndodhë çudia e të ndodhë e kundërta e vdekjes. Kot. Lajmet e para jipen nga radiostacioni tetovar. Lexohet një numër i madh emrash. Emri i Suatit nuk përmendet. Përsëri telefonatë nga Zvicra. Bileta i është dhënë me mbiemër të gabuar S. Shaipi. Të njejtin e lexon RTSh. Shpresa nuk ka. Të nesërmen një automjet niset nga Vaksinca për në Ohër. Duhet gjetur së paku kufomën, edhe pse që përpara e dinim se në këtë tragjedi nuk është e lehtë të gjendet ajo. Pritja vazhdon. Njerëzit fillojnë të vijnë, por endenuk u besohet, thuajse nuk ngushllojnë, ende ushqejnë shpresën. Në të marrë lajmin mixha i Suatit Nehati, pa hamendje niset nga Tutingeni i Gjermanisë. Përsëri me aeroplan, e si të vijë ndryshe. Pa pyetur fare shefin largohet për një javë nga puna. Gruaja dhe fëmijët e përcjellin me lotë në sy, por me një porosi që së paku ceremonialin e varrimit t’ua sjellë në videokasetë. Dikur natën vonë mbërrinë Nehati, e po si t’i ndalë lotët derisa para 5 muajsh po vinte me familje në dasmën e Suatit, e tani! Pas 5 ditë qëndrimi në Ohër kthehet grupi që kishte shkuar për të marrë kufomën. Të gjithëve buza e zemra na dridhej. Nehati asesi t’i ndalte lotët. Të nesërmen duhej të kthehej në Gjermani e fëmijët prisnin kasetën. Te gratë vazhdonte gjëma.
Nexhmedija halla e Suatit, ajo e cila para 5 muajsh i jepte jetë dasmës, tani ishte në delir të plotë dhe kuiste:
Prit me ditë e prit me javë
E Suati nuk po vjen oooiiii….
Ata që kishin qenë për të marrë kufomën asesi të përligjnin mosmarrjen e saj. Me kokë ulur filluam bisedën. Në diç pamë, por mjekët nuk ishin të sigurtë në deklaratat tona, për atë edhe nuk na e dhanë atë. Po ç’ti thonin tjetër bacës Refik, i cili si gjihtëherë edhe në këtë tragjedi të së birit qëndronte ashtu si u ka hije burrave shqiptarë.
Por vllazni, ndërhynte haxhi Jahija nga Miratoci, dajë i Suatit, pritjen që na e kanë ba vllaznitë e Strugës dhe Ohrit nuk mundet të përshkruhet dhe harrohet kurrë. Pranimi nëpër shtëpi, ngrohja, ushqimi, telefonatat në drejtime të ndryshme të gjitha pa rezervë i kanë marrë mbi vete. Në këtë tragjedi ta dini vëllezër se të barabartë jemi, po aq edhe neve na ka godit ajo, u kishin thënë ata. Varri me ditë të tëra po qëndronte i hapur, poashtu edhe kurorat qëndronin të nemitura palë. Të tillat menjëherë i kishin siguruar shokët, partitë e shoqatat e ndryshme.
Kush ishte Suati?
Që në fëmijërinë e hershme i mbetur pa nënë. Rritë jetim në vuajtje e skamje. Me vëlla Beqirin në intuitë gjithnjë e ndjenin mungesën e nënës. Babi i mbetur vetëm me dy djem, tërë kujdesin kishte marrë mbi vete. Edhe pse shofer kamionësh, punë asesi të gjente. Punonte argat punë nga më të ndryshmet vetëm t’u plotësonte nevojat djemve jetim. Të dy djemtë njëherësh i mbante në studime në Prishtinë. Por atmosfera studenteske e atyre viteve e dinim si ishte. Pas një pritjeje të gjatë për punë, baca Refik më në fund ishte punësuar shofer në një firmë të Kumanovës. Por pozita e tij shofer si duket dikë e kishte penguar. Pas disa vitesh në rrethana të paqarta pushohet nga puna. Suati tani kthehet në fshat. Gjendja familjare gjendej në buzë greminës. Beqiri vazhdonte studimet në fakultetin e kulturës fizike. Në fshat Suati ishte zog i mëngjesit. Çdo aksion e fillonte që herët. Na kujtohet zëri i tij, antarësinë, shokë, antarësinë duhet paguar, partitë, shoqatat nuk mbahen dot pa të. Ndihma për Kosovën vëllezër mos të kursejmë. Në aksionin e pajtimit të gjaqeve ishte krah. Shënimin e përvjetorit të ngjarjeve studenteske të vitit 1981 thuajse vet e kishte organizuar. Ftesat mysafirëve nga Kosova ua kishte bërë vetë shtëpi më shtëpi, pa u hamendur se po udhëtonte nëpër rrugë plotë kufinj e banda. Por qielli i Maqedonisë po i vret edhe zogjtë duke fluturuar drejt folesë së tyre.