Muhamer Pajaziti

“3-6-9” plani qeveritar për reforma dhe afrimin drejt Brukselit me pompozitet po trumbetohet në media nga Qeveria e re.

Hisja për të bërë sa më të akceptueshëm këtë plan i ka rënë zv/kryeministrit për eurointegrime Bujar Osmanit, kuadër i BDI-së, që para ardhjes në këtë pozitë më shumë kalonte kohën me mantelin e bardhë, dhe here pas here duke i mbrojtur qëndrimet partiake.

Osmani i përkushtuar në detyrën e re së fundi foli për fondet IPA dhe mos shfrytëzimin e tyre viteve të fundit, edhe pse në institucionet që lidhen me këto fonde paraqësese ishin bashkëpartiakët e tij.

Ambicioz, por edhe me mëdyshje sikur në ditën e parë të karrierës kur trajtoi pacientin e parë, Osmani kërkoi definimin e arsyeve të mosshfrytëzimit të mjeteve financiare nga fondet strukuturore të BE-së.

Pa shkuar shumë larg dhe pa bërë analiza dihen defektet, sepse institucionet që duhet të bëjnë punët në këtë sferë janë të pushtuara nga militantë partiakë. Edhe për Osmanin, që është i rrethuar nga militantët është një “mision imposible” për të çuar punët përpara. Zaptimi institucional nën frymën militanteske duhet të flaket dhe duhet ta ketë të qartë edhe ky ministër se imperativ dhe nevojë urgjente janë kapacitetet dhe resurset njerëzore për terheqjen parave të cilat vijnë nga xhepat e evropianëve solidarë.

E kuptojmë vullentin dhe dëshirën e tij të flaktë për të realizuar projekte të cilat do të realizonin dëshirat e qytetarëve për ambient të pastër, ajër të pastër, në përgjithësi për infrastrukturë për jetë më të shëndetshme dhe të kualitetit të lartë, për rritjen e besimit në gjyqësi, administratë publike funksionale, për dogana moderne për shërbime kualitative, rrugë etj.

Por ç’të bëjmë, nuk kemi mundësi, dije, kërkojmë ndihmë, analizojmë e japim deklarata boshe.

Detyra e këtij ministri në Qeverinë ambicioze duhet të jetë më praktike dhe të prekë thelbin. Osmani duhet të përvjelë mëngët dhe të dalë në terren, si psh t’i mundësoj bujqëve konsulencë se si të përgatisin Plane Bisnezi, si të përfitojnë nga këto para për ti zgjeruar kapacitetet e tyre prodhuese.

Ose ta paktën të fillojë të krijojë një data base me të dhëna statistikore rreth asaj se sa nga OJQ-të janë kualifikuar për projekte IPA dhe për programet tjera të komuniteteve dhe sa prej tyre procentualisht rregullisht aplikojnë për grante.

Domethënë nuk mund që të vërtetohet se sa është njohuria e procesit të aplikimit për fondet e BE-së nëpër OJQ-të e Maqedoni.

Ndoshta do të ishte mirë, Osmani të marr modelet evropiane ose më afër këtu në rajon. Në këtë drejtim, edhe përvoja e Kroacisë mundet t’i ndihmojë Maqedonisë në përmirësimin e kapaciteteve për tërheqjen e fondeve të lartë-përmendura.

Do ishte mirë që sikur në Kroaci të hapet një zyre qendrore për strategji zhvillimore dhe koordinuese të fondeve të BE-së, e cila do të kryente detyra profesionale dhe administrative.

Që të ketë sukses në shfrytëzimin e fondeve evropiane Osmani duhet të formojë ose autorizojë agjenci për koordinimin e fondeve, të zhvilloje instrumentin për përhapje dhe informim, të zhvillojë konsultime të vazhdueshme gjatë përgatitjes së dokumenteve strategjike me misionin e KE-së dhe sektorin joqeveritar dhe privat në vend si dhe të kontribuojë në edukimin joformal për mundësitë e financimit të BE-së si parakusht për pasjen e aplikacioneve të suksesshme dhe projekteve të fituara.

Ndryshe do të vazhdoj të sorrollatet poshtë e lartë duke dhënë deklarata boshe, nga të cilat qytetarët janë llodhur për vite me rradhë.

Duhet ta pranojmë se tashmë disa vite, institucionet e Maqedonisë nuk arritën t’i shtojnë kapacitetet e tyre për thithjen e fondeve evropiane për të përshpejtuar integrimin në këtë organizatë supranacinale.

Një nga shenjet, se vendi nuk është gati për BE-në është, se ende po presim, që institucionet evropiane, organizatat e huaja të përfitojnë nga projektet dhe ti implementojnë ato në vendbanimet tona, jo ne vetë të vendosim çfarë të bëjmë.

Shikojeni vetëm listën e organiatave që kanë përfituar nga këto fonde, shumica vijnë nga Shtetet Anëtare të BE-së.

Derisa mungojnë investimet dhe reformat në fushat të cilat janë të parapara me kriteret e Kopenhagës për anëtarësim në BE, Maqedonia do të vonohet në këtë rrugëtim.

Nga kjo situatë, Maqedonia vazhdon të humb miliona nga skemat e ndihmës financiare të BE-së.

Duhet të kuptojmë më në fund që vetë ne vendosim në çfarë Evrope dëshirojmë të jetojmë, çfarë pamje dëshirojmë të ketë Evropa gjatë vitit 2020. Tani duhet të vendosim edhe si dëshirojmë të duket Maqedonia gjatë vitit 2020.

*Autori është kryeredaktor i INA-s dhe doktorant për studime evropiane dhe ndërkombëtare në Universitetin e Chemnitz