Nëse jeni beqar dhe po kërkoni të njiheni me dikë që mund t’ju ndryshojë jetën, zgjidhja mund të jetë ”1Kafe”, një aplikacion i gjithi shqiptar, i ideuar nga një shqiptar për t’u ardhur në ndihmë bashkëkombësve të tij.

Aplikacioni është krijuar nga Gerond Aliaj.

Ai ka 20 vite që është larguar nga Shqipëria, fillimisht në Itali e më pas në Kanada e Angli ku jeton edhe sot.

Energjia që e karakterizon dhe largpamësia, bën që ai të kishte etje për t’u “rritur” në botën e re që po krijonte, duke studiuar informatikë, biznes, menaxhim dhe marketing online.

Megjithëse prej disa vitesh punon në Media Agenccy më të madhe në Londër me mbi 15 mijë të punësuar kudo në botë, ai sërish kërkon të arrijë suksesin dhe me origjinalitetin e idesë së tij.

Pas një kërkimi të hollësishëm disavjeçar, atij i lindi një ide, të krijonte një aplikacion për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, duke ia bërë atyre më të lehtë komunikimin dhe njohjen midis tyre. Roni siç e thërrasin miqtë, krijoi këtë mundësi edhe për mijëra shqiptarë të tjerë.

Aplikacioni i quajtur ”1Kafe”, i dedikuar shqiptarëve, mund të përdoret falas (deri në 10 persona te ndryshëm) dhe mund të shkarkohet në imunes App Store ose Google Play per Android.

Aliaj thotë për ATSH se shumica e përdoruesve janë nga mosha 18-34, por dhe deri në 50 vjeç (nuk kufizojmë moshën, seksin apo llojin e komunikimit).

“Kryesisht janë të mirëshkolluar, me një punë të mirë. Statusi shoqëror mandej është i përzierë: 65% janë beqarë, 25% të martuar dhe pjesa tjetër me status të ndryshëm (në një marrëdhënie ose të fejuar). Kuptohet që asnjë nga këto detaje nuk bëhen publike për asnjë nga anëtarët tanë. Ajo që duhet të kuptohet është që 1Kafe nuk është thjesht për të gjetur shpirtin binjak, por më shumë një komunitet që shqiptarët të gjejnë njëri-tjetrin, takohen, njihen dhe forcojnë marrëdhëniet e tyre. Kjo 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, në të gjithë globin”, tha ai.

“Një vit pjekje në kokë dhe 1,5 vjet realizim konkret. Kam dështuar dy herë (për arsye të ndryshme) dhe kjo është hera e tretë në përpjekjen time. Aplikacioni është publikuar në mënyrë soft (me fjalë-goje) në fillim, saktësisht në 25 tetor 2017. Një javë më pas u krijua një fushatë marketingu online, duke marrë si target kryesisht Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Kjo u integrua nga një fushatë në terren, në Tirane dhe Prishtinë për të dhënë më shumë dukshmëri. Pritshmërisë tona ishin diku tek 5 000 përdorues në muajin e parë por kjo është tejkaluar gjerësisht me 60% më shumë. Aktualisht aplikacioni ka dhe një funksion tjetër: atë të kërkimit dhe gjetjes së evenimenteve të artistëve shqiptare kudo në botë. Kjo mundëson publikun të kërkojë, ruajë dhe shtojë datat në kalendarin e tyre. Më vonë do të mund të blejnë biletat direkt nga aplikacioni. Në të ardhmen kemi planifikuar funksione të reja të cilat do të ofrojnë më shumë për publikun e ‘1Kafe’, por që janë surprizë. Në të gjitha aplikacionet e takimeve online, publiku më i vështirë për t’u bindur që të përdorë aplikacionin është ai femëror. Aktualisht ne kemi (si dhe të tjerët) një shumicë meshkujsh, por femrat po regjistrohen me një ritëm më të lartë se sa në fillim”, tha Aliaj gjatë një prononcimi për ATSH.

Ai sqaron se siguria e përdoruesve është maksimale.

“Jemi shumë të vëmendshëm ndaj anëtarëve tanë dhe po bëjmë çmos që të sigurojmë sidomos vajzat shqiptare, që në ‘1Kafe’ janë të mbrojtura nga sistemi: përveç funksioneve të bllokimit apo raportimit, ne kryejmë periodikisht analiza për të parë dhe hequr profile falso ose që nuk respektojnë të tjerët. Përpos kësaj, është pritur jashtëzakonisht mirë. Ka më shumë se 15000 (po po, 15 mijë) chat-e të hapura, që do të thotë që njerëzit po komunikojnë shumë me njëri-tjetrin. Kemi e-maile të shumtë, sugjerime, përgëzime dhe disa herë dhe vërejtje për disa aspekte të cilat ne mundohemi ti marrim parasysh në versionet e reja që publikojmë çdo javë. Filtri ynë është jashtëzakonisht i avancuar, ndoshta tepër i tillë, për disa aspekte. Kjo sepse sa më shumë informacion që një person vendos për veten e tij, aq më shumë e mundur është për sistemin që të filtrojë midis tyre. Këtë anë po mundohemi që ta garantojmë në të ardhmen duke vendosur shpërblime për anëtarët, që të plotësojnë aspekte të ndryshme të profilit të tyre. Përshembull, nëse dikush ka më shumë se tri foto, mundësia që ai të marrë një mesazh nga dikush rritet me 25%, e kështu me radhë”, tha Aliaj.