Nga, Abdulla Mehmeti
Në Maqedoni, regjistrimi i popullsisë asnjëherë nuk është bërë në mënyrë të drejtë, të saktë dhe sipas metodave që garantojnë rezultate të besueshme. Operacioni i fundit në vitin 2011, për regjistrimin e popullsisë, banesave dhe pronave, është ndërprerë në gjysmë për motive politike, pas fillimit të tij dhe sigurimit të disa rezultateve nga terreni. Për shkak të këtyre manipulimeve, asnjëherë nuk është ditur saktë numri i përgjithshëm i banorëve të këtij shteti, numri i tyre sipas përkatësisë etnike dhe sidomos numri i banorëve shqiptarë.
Që nga zgjedhjet e para shumëpartiake e deri më sot, në të gjitha ciklet zgjedhore, si në zgjedhjet parlamentare, presidenciale dhe lokale, rregullativa ligjore për këtë çështje është përgatitur për nevoja të politikës ditore, jo në interes të qytetarëve dhe siç parashikojnë konventat ndërkombëtare.
Gjithmonë në këtë shtet, sidomos pas pavarësimit të tij në vitin 1991, në të gjitha ciklet zgjedhore pa përjashtim, listat e votuesve janë falsifikuar, manipuluar dhe keqpërdorur nga organet kompetente të shtetit, me urdhër të kreut të shtetit dhe qarqeve shoviniste në vend, i cili është zbatuar nga Enti Shtetëror i Statistikave, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Këshilli Qendror i Zgjedhjeve. Me këto kushte dhe në këto rrethana, asnjëherë në këtë shtet nuk janë organizuar zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike, por zgjedhje të manipuluara dhe të falsifikuara.
Partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni, shpeshherë kanë shprehur pakënaqësi për këto falsifikime dhe manipulime, sidomos për rezultatet e zgjedhjeve, si në nivel qendror edhe atë lokal, por këto parti asnjëherë nuk kanë qenë të interesuara seriozisht ta zgjidhin këtë problem thelbësor, për ndërtimin e një shteti ligjor dhe demokratik.
Manipulimet me regjistrimin e popullsisë dhe fshehja e numrit të banorëve shqiptarëve në këtë shtet janë përcjellur edhe me mospërfshirjen e një numri të madh të shqiptarëve në listat e votuesve, sidomos në rajonet dhe vendbanimet me popullsi të përzier, ndërkohë që numri i qytetarëve joshqiptarë është rritur në mënyrë artificiale, përmes të dhënave statistikore për numrin e përgjithshëm të popullsisë edhe përmes listave të votuesve. Me këtë edhe rezultatet nga të gjitha zgjedhjet e organizuara përherë kanë qenë të përgjysmuara, në dëm të qytetarëve shqiptarë dhe të subjekteve politike të tyre.
Atë që e ka planifikuar saktë kreu i këtij shteti, e kanë zbatuar me konsekuencë organet kompetente për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve, prandaj, aq sa kanë dashur ata që të jetë numri i përgjithshëm i shqiptarëve në këtë shtet, ashtu edhe janë përgatitur numrat dhe shifrat e të dhënave zyrtare nga këto organe, si për nevojat e brendshme, ashtu edhe për paraqitjen e pasqyrës së rrejshme para faktorit ndërkombëtar.
Për shkak të kësaj, përfaqësimi i shqiptarëve në organet e pushtetit dhe administratë, si në atë ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor, asnjëherë nuk e ka arritur as edhe përqindjen sipas të dhënave zyrtare për numrin e përgjithshëm të shqiptarëve, me afër 26%, edhe pse shumë tregues, të dhëna zyrtare dhe jozyrtare, si dhe hulumtime të ekspertëve, dëshmojnë qartë se numri i shqiptarëve në Maqedoni është shumë më i lartë se 26%, pa dashur me këtë rast të paraqesim të dhëna konkrete, meqë nuk janë temë e këtij shkrimi.
Rezultati më katastrofal për shqiptarët, nga të gjitha ciklet zgjedhjore deri më sot, ka qenë rezultati i mandateve të fituara për deputetë nga partitë politike të shqiptarëve në zgjedhjet e fundit të parakohëshme parlamantare të 11 dhjetorit 2016, ku niveli i përfaqësimit të shqiptarëve në Parlamantin e Maqedonisë është zvogëluar në 16.6%, ose thënë më saktë, është përgjysmuar në krahasim me numrin e përgjithshëm të banorëve shqiptarë në Maqedoni. Edhe në këtë rast, sipas rezultateve tepër të pafavorshme për qytetarët dhe faktorin politik shqiptar në këtë shtet, tek partitë politike aktuale të shqiptarëve nuk ka krijuar ndonjë shqetësim të veçantë.
Nga këto sherre karakteristike të ,,mentalitetit ballkanik”, me tendenca të dominimit të një populli ndaj tjetrit, Maqedonia është përballur vazhdimisht me kriza politike dhe ekonomike, ku në mungesë të demokracisë së mirfilltë dhe shtetit të së drejtës, ligjin e bën nëntoka kriminale politike, ndërsa si rezultat i kësaj, sidomos i korrupsionit në rritje, krimit të organizuar, abuzimit me pushtetin, pasigurisë së përgjithshme dhe mungesës së perspektivës për jetë të dinjitetshme, nga gjithsej afër 2 milion e 70 mijë banorë, sipas të dhënave nga Banka Botërore nga vendi janë larguar afër 520 mijë banorë, shumica e gjeneratës së re, ose afër 25% e popullsisë së përgjithshme. Ndërkohë që numri i përgjithshëm i votuesve është rritur, si instrument i nevojshëm politik për sundim, sa e ka tejkaluar numrin e përgjithshëm të banorëve të mbetur në këtë shtet.
Në këto probleme thelbësore duhet të orientohet lëvizja politike e shqiptarëve në Maqedoni, në të ardhmen, jo të kërkohen fajet për ngecje, çorientim dhe katandisje të shqiptarëve dhe të politikës së tyre në çështje të tjera dytësore.
Një herë e përgjithmonë, drejtuesit e partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, por edhe faktorët tjerë brenda dhe jashtë, duhet të mësohen ta bëjnë dallimin mes të drejtës së përfaqësimit, përgjegjësisë dhe pazareve politike.