Prodhuesit e Nutella’s kanë reaguar ashpër pas publikimit të një raporti që ka vlerësuar se një prej përbërësve të saj mund të jetë kancerogjen.

Kremi i famshëm prej çokollate mbështetet në vajin e palmës për butësinë e tij dhe për jetëgjatësinë e madhe në raftet e dyqaneve.

Sidoqoftë, një raport nga Autoriteti Evropian për Sigurinë e Ushqimit e ka shpallur vajin e palmës më kancerogjen sesa çdo vaj tjetër, pas vlerësimeve të ngjashme nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Tani, pasi shitjet e Nutella’s kanë rënë për 3 për qind, prodhuesi i saj, Ferrero, ka nisur një fushatë televizive, duke këmbëngulur se ata përdorin vajin e palmës në një mënyrë që s’përbën rrezik për shëndetin.

Reklama thotë se kremi prej çokollate nuk do të ishte ashtu siç është pa vajin e rafinuar të palmës.

Por, ajo nuk përmend faktorin tjetër të rëndësishëm: meqë vaji i palmës është vaji më i lirë në treg, ndryshimi i tij me një vaj tjetër për Nutella’n do ta detyronte Ferrero’n të harxhonte 8-22 milionë euro më shumë në vit.

“Prodhimi i Nutella’s pa vajin e palmës do të sillte një produkt inferior në vend të produktit të vërtetë, do të ishte një hap prapa”, ka thënë Vincenzo Tapella nga Ferrero.

Ai paraqitet në reklamën televizive të transmetuar në Itali gjatë tre muajve të fundit, që ka nxitur kritika nga politikanët, të cilët kërkojnë ndalimin e përdorimit të vajit të palmës.

Raporti i detajuar i Autoritetit Evropian për Sigurinë e Ushqimit, i publikuar në majin e 2016’s, ka thënë se vaji i palmës është më i rrezikshëm se vajrat e tjerë kur rafinohet në temperatura mbi 200 gradë Celcius.

Temperaturat e larta përdoren për t’ia hequr vajit të palmës ngjyrën natyrore të kuqe, dhe për të neutralizuar erën e tij.

Ky proces, megjithatë, bën që të formohen kontaminues të njohur si GE. Kur treten, këta kontaminues janë të prirur të shpërbëhen dhe të lirojnë glycidol, një përbërës që besohet se shkakton tumore.

Sipas një raporti nga Institutet Kombëtare të Shëndetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ekspozimi gojor ndaj glycidolit ka shkaktuar tumore në disa teste të bëra tek minjtë laboratorikë.

Por, Ferrero thotë se përdor një proces industrial, që kombinon një temperaturë prej më pak se 200 gradë Celcius dhe shtypje tejet të ulët për të minimizuar kontaminuesit.

Ky proces zgjat më shumë dhe kushton 20 për qind më shumë se rafinimi në temperaturë të lartë, ka sqaruar Ferrero.

Por, sipas Ferrero’s, kjo ka bërë që nivelet e GE’së të ulen aq shumë, saqë instrumentet shkencore nuk arrijnë ta vërejnë kemikalin.

“Vaji i palmës i përdorur nga Ferrero është i sigurt, sepse vjen nga frutat e freskët, dhe përpunohet në temperatura të kontrolluara”, thotë Tapella në reklamën televizive, që është xhiruar në fabrikën e firmës, në qytetin verior të Albës, dhe është shoqëruar edhe me reklama në gazeta, që përcjellin të njëjtin mesazh nga kompania. /Express/