Abdulla Mehmeti

,,Duhet të punojmë në përmirësimin e imazhit që e krijuan për ne para shqiptarëve, i cili ishte ngarkesë për partitë shqiptare që të jenë partner me VMRO-në. Shqiptari i thjeshtë nuk ka benefit nga LSDM kur është në pushtet por, si gjithë të tjerëve ju duhet jetë më e mirë, para, vende pune, standard dhe kushte për jetë”,

(Sipas mediave, ky është mesazhi i lideri i VMRO-DPMNE-së për shqiptarët, në përvjetorin e themelimit të partisë së tij, e cila deri dje ka qenë në pushtet)

Sa bukur tingëllon kjo në veshët e atyre shqiptarëve që u mjafton të jetojnë si kafshët, pa dinjitet, pa liri dhe të drejta kombëtare. Sa joshës duket ky mesazh për ata që janë të lumtur edhe pse trajtohen për pjesëtarë të pakicës kombëtare, qytetarë të rendit të dytë në trojet e veta etnike. Shqiptarë të tillë mund të jenë pak ndër ne, që u mjafton të kenë vetëm pak PUSHTET dhe PARA, edhe kur ato janë të pista, nga biznese të pandershme. E dini nga i ka marrë paratë ky lider kur ka qenë në pushtet, për t’ua dhënë disa shqiptarëve? Nga 33% i paligjshëm i faturave të EVN-së, nga përqindja e tenderëve për shitjen e pasurisë shtetërore (gjysma e saj u ka takuar shqiptarëve), nga fitimet e kazinove dhe bizneseve të tjera të pandershme, nga donacionet ndërkombëtare, nga kreditë e jashtme të cilat duhet t’i kthejnë qytetarët e këtij shteti, bile me kamatë. etj. etj.

A mos përmendi ky lider diçka:
-Për statusin shtetformues të shqiptarëve dhe për barazinë e plotë qytetare të tyre?
– Për përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në institucione dhe administratë?
– Për investime në vendbanimet dhe rajonet shqiptare?
-Për ndarjen e drejtë të buxhetit të shtetit për kokë banori, sipas komunave dhe rajoneve?
-Për organizimin e zgjedhjeve të drejta dhe demokratike në vend, ku shqiptarët do të përfaqësohen në organin ligjvënës, Parlamantin e shtetit, së paku aq sa njihen zyrtarisht, 26%, jo 16,6%?
-Për përdhosjen me ligj të flamurit shqiptar, duke ia zvogëluar dimensionet e tij për 1/3 në krahasim me flamurin shtetëror?
-Për gjuhën shqipe, e cila ende trajtohet si gjuhë e përqindjes, e qytetarëve 20%, jo si gjuhë shqipe, aq më pak gjuhë zyrtare që e flasin afër gjysma e qytetarëve të këtij shteti?
-Për proceset e montuara politike dhe për vrasjet pa gjyq?
-Për helmimin e 500 mijë banorëve të Pollogur me vite të tëra, vetëm për përfitime financiare të një grupi mafiozësh në skenën politike të vendit?
-Për përdhosjen e qytetit të Shkupit me elemente antishqiptare, kundërhistorike dhe poshtërues për të gjithë qytetarët e vendit?
-Për ofendimet publike të shqiptarëve në baza nacionale, ,,Vdekje për shqiptarët”, ,,Dhoma gazi për shqiptarët” etj, për çka brohoritësit e këtyre britmave kundër shqiptarëve u shpërblyen me postet më të larta në pushtetin e kësaj partie, etj. etj.?

Dhe, e gjithë kjo, nuk nënkupton se shqiptarët i besojnë symbullur LSDM-së për inatin e partisë së këtij lideri, sepse shqiptarët nuk u besojnë as partive të veta dhe liderëve të tyre, por i besojnë vetëm të vërtetës që e shohin me sy, e përjetojnë në lëkurën e tyre dhe i vuajnë pasojat nga qeverisja e keqe!

(18.VI.2017)