Avokati i Popullit e ka dënuar ashpër procedurën e Ministrisë së Arsimit, e cila me shkresën e dërguar, ia ka mundësuar drejtorit të shkollës fillore “Bratstvo Edinstvo” të Ohrit, t’ua ndaloj dy nxënëseve ndjekjen e mësimit për shkak të mbajtjes së shamive në kokë dhe menjëherë kërkon t’u mundësohet ndjekja e procesit mësimor. “Duke e pasur parasysh se Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e parashikojnë dhe lejojnë lirinë e besimit fetar dhe lirinë e shprehjes së religjionit, ndërsa sipas Konventës për të Drejtat e Fëmijës, liria e manifestimit të besimit fetar mund t’u nënshtrohet vetëm kufizimeve të parashikuara me ligj, ndërsa kufizime të këtilla nuk janë parashikuar në Ligjin për arsim fillor dhe me rregullat e tjera pozitive ligjore”, thuhet në reagimin e Avokatit të Popullit. Ky institucion, në reagimin drejtuar MASH-it dhe shkollës në Ohër sugjeron nevojën për respektimin konsekuent të ligjeve dhe zbatimin e detyrueshëm të akteve të ratifikuara ndërkombëtare të përmendura më lartë, si pjesë përbërëse të rendit tonë juridik. “Aq më tepër, për shkak se sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, si edhe të gjitha rregullat e tjera, të cilat bazohen në ligje dhe secili e ka për detyrë t’i respektoj”, thuhet në reagim. Ndryshe, me vendim të drejtorit të shkollës, dy nxënësve (motra) të etnitetit turk i është ndaluar qasja në objektin e shkollës, pasi në kokë kishin shami fetare islame./shqipmedia