Qëndrimin se Demokracia e Re nuk do ta ratifikojë Marrëveshjen e Prespës, as në këtë e as në Parlamentin e ardhshëm, edhe njëherë e përsëriti kryetari i partisë, Kirjakos Micotakis, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve gjatë turneut të tij në ishullin grek Kefalonia.

Siç lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina, lideri i partisë më të madhe opozitare greke theksoi se arsyet kryesore për këtë pozicion është qëndrimi i tyre se “për herë të parë fqinjëve u bëhet lëshim për gjuhën dhe nacionalitetin maqedonas”, e kjo e bën marrëveshjen, sipas Micotakisit, “të dëmshme për interesat nacionale”.

“Mënyra e vetme të garantohet se kjo Marrëveshje nuk do të ratifikohet në parlamentin grek është të mbahen zgjedhje nacionale para se Marrëveshja të vijë për ratifikim në parlamentin grek, që populli grek të vendosë, jo vetëm për vendin, por edhe për marrëveshjen për të cilën, siç thashë, konsiderojmë se është e dëmshme për interesat nacionale.

Por, dëshiroj të shtoj edhe diçka: pasqyra e ditëve të fundit në vendin fqinj, gjatë përgatitjes për votimin e parë në Kuvend, sipas mendimit tim, nuk është pasqyrë e cila i përgjigjet një vendi që mund të synojë të bëhet anëtare e familjes së madhe evropiane”, tha Kirjakos Micotakis.