Mesfushorja shqiptare që e përfaqëson Suedinë, Kosovare Asllani, ishte njëra prej golashënueseve në fitoren e përfaqësueses së saj kundër Ukrainës.

Ekipi i femrave të Suedisë triumfoi me rezultat 3-0 në ndeshjen e vlefshme për kualifikimit për Kampionatin Botëror, shkruan Telegrafi, transmeton IndeksOnline.

Futbollistja e Linkopings FC e realizoi golin e tretë të Suedisë (51′), ndërsa golat tjerë i shënuan Elin Rubensson (34′) dhe Magdalena Ericsson (38′).

Mediat suedeze i kanë kushtuar rëndësi festës së 29-vjeçares, e cila e bëri shqiponjën me duar për të nderuar rrënjët e saj shqiptare.
Kosovarja ka lindur në Kristianstad të Suedisë, mirëpo prindërit e saj janë nga Kosova, gjë që përkon edhe me emrin e saj.

Lojtarja shqiptare i kishte uruar Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin në Kampionatin Botëror kur e bënë shqiponjën me duar në ndeshjen kundër Serbisë, ndërsa tash e ka bërë vet të njëjtën gjë.

Nga shtatë ndeshje të zhvilluara në Grupin 4, ekipi i femrave të Suedisë ka regjistruar gjashtë fitore dhe vetëm një humbje, dhe e kryeson grupin meu 18 pikë.

Asllani është futbollistja kryesore e kësaj përfaqësuese, ndërsa gjatë karrierës ka veshur edhe fanellat e Paris Saint-Germainit dhe Manchester Cityt.